AKTUALITET /

Drama në Igumenicë / Shpëtohet shqiptari nga mbytja, por në skafin e tij zbulohen 135 kg drogë

Roja Bregdetare Greke arriti të nxjerrë gjallë nga deti një 50-vjeçar shqiptar, skafi i të cilit po fundosej mes dallgëve, por gjatë kontrollit të mjetit, autoritetet zbuluan një sasi të konsiderueshme kanabisi të papërpunuar.

Shkruar nga Versus

Drama në Igumenicë / Shpëtohet shqiptari nga mbytja, por në

Një operacion dramatik shpëtimi në ujërat pranë ishullit “Prasoudi” të Igumenicës ka marrë një kthesë të papritur, pasi ajo që nisi si një ndërhyrje humanitare për të shpëtuar një jetë, përfundoi në një aksion antidroge me përmasa të konsiderueshme.

Roja Bregdetare Greke arriti të nxjerrë gjallë nga deti një 50-vjeçar shqiptar, skafi i të cilit po fundosej mes dallgëve, por gjatë kontrollit të mjetit, autoritetet zbuluan një sasi të konsiderueshme kanabisi të papërpunuar.

Sipas njoftimit zyrtar, brenda skafit u gjetën pesë pako plastike që përmbanin 79.75 kilogramë kanabis, ndërsa me ndihmën e një zhytësi privat, hetuesit gjetën më pas edhe një qese tjetër me gjashtë pako shtesë, me 56.13 kilogramë drogë të fshehur në zonën detare të “Votës” në Sagiada.

Në total, u sekuestruan 135.88 kilogramë kanabis, me një vlerë tregu që, sipas autoriteteve greke, arrin rreth 400 mijë euro.

50-vjeçari, i cili nuk kishte dokumente të vlefshme udhëtimi, u arrestua menjëherë nga Autoriteti Portual i Igumenicës. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe hyrje të paligjshme në territorin grek.

Përveç drogës, u sekuestruan edhe skafi prej poliesteri që shërbente si mjet transporti, si dhe një telefon celular, që do t’i nënshtrohet ekspertizës për të zbuluar lidhjet e mundshme me rrjete të tjera trafiku.

Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet greke po përpiqen të përcaktojnë origjinën dhe destinacionin e sasisë së drogës, si dhe nëse 50-vjeçari ishte pjesë e një grupi më të gjerë trafiku që vepron në kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Poll