
Zhaneta, një grua e moshuar në Korçë jeton e braktisur që kur lindi. E braktisur nga prindërit, ajo u rrit në jetimore, që në moshë të vogël është përballur me vështirësi të mëdha për të mbijetuar.
Por kjo dhimbje do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës së saj. Pavarësisht kësaj, ajo nuk u dorëzua por vendosi të arsimohej dhe të punonte në ndërtim, ndërmarrje ushqimore në qytetin e Korçës.
Vitet e punës nuk i janë njohur dhe pensioni që merr është vetëm 70 mijë lek të vjetra në muaj. Në një kohë kur çmimet janë rritur, pothuajse jetesa për Zhanetën është e pamundur. Banesa e saj ndodhet në kushte mizerabël dhe është e pabanueshme, ku mungojnë uji dhe dritat.
Në këto ditë të acarta me ngrica, dëborë dhe reshje shiu, Zhaneta është strehuar përkohësisht nga një grua zemërmirë, përballë Xhamisë së Re në Korçë.
Më zërin që dridhet Zhaneta tregon vështirësitë me të cilat përballet dhe kërkon ndihmë nga kushdo që mundet.
"Kam qenë jetime, që kur u linda më braktisi nëna. U rrita aty deri në moshën 14-15 vjeç shkova në shkollë të mesme, në Tiranë. Mbarova shkollën dhe u ktheva në Korçë, punova në ndërtim, në ofiçinë, në ndërmarrjet që kishte Korça.
Punova në ushqimore. Kjo shtëpi nuk është imja, shtëpia ime është në gjendje kritike. Të paktën të më japin një dhomë përdhese. Nuk kam asnjë njeri, askush nuk kujdeset për mua. Vetëm me gjysmë pension jetoj, 70 mijë marr. Nuk i marr ilaçet, ku i marr ku nuk i marr”, tregoi Zhaneta.

