AKTUALITET /

Dy dronë në burgjet e Burrelit dhe Peqinit, Qose: Fatmirësisht nuk u fut eksploziv! Duhen sisteme anti-dron

Gjithçka në dorë të fatit ka qenë këtë herë sa i takon dy droneve që u ngritën në fluturim në burgjet e Burrelit dhe Peqinit ku u futën sende të paligjshm dhe drogë. Kështu u shpreh vetë kreu i drejtorisë së burgjeve.

Shkruar nga Versus

Dy dronë në burgjet e Burrelit dhe Peqinit, Qose: Fatmirësisht

Klevis Qose drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve ka raportuar në komisionin e Sigurisë lidhur me veprimtarinë e institucionit që drejton, duke parashtruar edhe problematika të caktuara.

Teksa u përqendrua në zhvillimet e ndodhura së fundmi ku dy dronë u kapën në fluturim pranë burgjeve të Burrelit dhe Peqinit, të cilat janë institucione të sigurisë së lartë, drejtori dha informacion lidhur me sendet e gjetura.

Ndërsa theksoi se fatmirësisht sendet e futura nuk janë të kategorisë aq të rrezikshme sa për shembull eksplozivët që anëtarë të grupeve kriminale mund të përdorin kundër rivalëve të tyre që mbahen të burgosur.

“Dy herë cënim sigurie nga mjetet fluturuese, një mjet u konstatua në Burrel institucion i sigurisë së lartë dhe po ashtu në atë të Peqinit. U konstatuan 2 celularë, 8 fisha karikimi dhe drogë kanabis e kokainë. Është forma më e lehtë futja e sendeve krahasim me cfarë mund të sjellë dëmtimi i futjes së sendeve të tjera duke parë se veprimtaritë e grupeve kriminale mund të ishte edhe një sasi eksplozivi kundrejt kundërshtarëve të tyre”- tha Qose.

Ky shembull u mor nga Qose pas zbardhjes së përgjimeve të grupit kriminal të Çopjave në Elbasan të cilët kishin planifikuar futjen e dronit me eksploziv në burgun e Bradasheshit për ta shpërthyer pranë qelisë ku mbahej i paraburgosur rivali i tyre Erion Alibej. 

Ndër të tjera, pjesë e raportimit të tij në komision ishin edhe nevojat për të investuar në infrastrukturën e sigurisë duke nisur nga sistemet antidron.

“Kemi një digjitalizim të sistemeve por nevoja është maksimale. Duke nisur nga sistemi i antidronëve për parandalimin e veprimtarisë së fundit. Duhet investuar në përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha drejtoritë dhe kryesisht në ato institucione ku infrastruktura vjen që prej investimeve në kohën e komunizmit. Aktualisht kemi 4 institucione të tilla dhe janë marrë masat për të hedhur në tenderim rikonstruktimin e disa prej burgjeve”- shtoi drejtori.

Ndërsa problematikë tjetër sipas tij është edhe mungesa e digjitalizimit të sistemeve administrative dhe pagat ende të ulëta të punonjësve.

“Sa i përket sistemeve administrative, kemi nevojë për digjitalizimin e arkivës, protokolli, administrimi i vendimeve etj. Problematikë tjetër ngelen burimet njerëzore dhe pagat e ulëta në sistemin administrativ. Punonjësit e policisë në regjimin e brendshëm nuk kanë leje përdorimi të celularëve. Përditë punonjësit aplikojnë në vende të tjera pune për të gjetur punë tjetër”- nënvizoi Qose.

Tashmë, grupet kriminale kanë arritur deri në planifikime që më parë do konsideroheshin "të çmendura" si planet për të eleminuar rivalët e tyre edhe kur këta të fundit ndodhen në institucione të vuajtjes së dënimit ku siguria konsiderohet të jetë maksimale. Versus.al

Poll