
Vlorë- Një 14 vjeçar është arrestuar nga policia nën akuzën e armëmbajtjes pa leje. Gjatë kontrolleve të bëra pas një fotoje në telefonin e të miturit, është gjetur arma e zjarrit “pistoletë” dhe 130 fishekë të fshehur në një motor pranë një banese.
Ngjarjen e bëri me dije, drejtori i policisë së Vlorës, Elidon Çela i cili deklaroi gjithashtu se po bëhen hetime për të identifikuar personin që i ka dhënë armën të miturit.
“Dua tju bëj me dije, gjatë dy javëve të fundit, dhjetëra prindër dhe pjestarë të stafeve pedagogjike të qarkut Vlorë kanë kontaktuar Policinë, duke ndarë shqetësime dhe informacione mbi aktivitetet dhe sigurinë e fëmijëve të tyre, kryesisht të moshave 12 deri në 18 vjeç. Këto informacione kanë qenë të vlefshme dhe kanë ndihmuar në orientimin e veprimeve tona parandaluese.
Një shembull konkret është rasti i një 14-vjeçari, ku, falë informacionit të siguruar dhe punës profesionale nga Policia e Vlorës, ditën e djeshme është bërë e mundur që, nëpërmjet një fotografie të gjetur në celularin e tij dhe pas një pune profesionale me psikolog, prind dhe punonjës social, të gjendej e fshehur në një motomjet pranë një banese një armë zjarri pistoletë me rreth 130 copë fishekë luftarakë, të cilat I kishte fshehur ky 14-vjeçar. Nga ana jonë vijon puna intensive për të identifikuar personin që ia ka dhënë armën këtij 14-vjeçari, i cili u arrestua për armëmbajtje pa leje”- u shpreh Çela. Versus.al







