Blerta Tafani, gazetarja e TVSH-së, e cila për shumë vite ka qenë imazhi i edicioneve qendrore dhe emisioneve të darkës në ekranin e RTSH-së, duket se është bërë shkak për largimin e papritur e të parevokueshëm të Drejtorit të Përgjithshëm Alfred Peza nga detyra.
Në një letër drejtuar bordit të RTSH-së, Tafani pretendon se është ngacmuar seksualisht nga Peza. Versus.al ka arritur që të ketë një kopje të shkresës, e cila sidoqoftë, është e pafirmosur nga Tafani. Letra mban datë 2 shtator dhe në sekretari duket se ka mbërritur një ditë më pas në datë 3 shtator.
Në shkresën e pafirmosur nga Tafani, ajo pretendon se prej 11 muajsh po përballet me një presion psikologjik të pashëmbullt. “Me datë 28 shtator të vitit t kaluar, në mbrëmje pas orës 20.00, në telefonin tim erdhen mesazhe jo vetëm të pa denja, por edhe imponuese për një takim jashtë institucionit nga Drejtori i Përgjithshëm I RTSH-së Alfred Peza, shoqëruar dhe me insisitimin me anë të dhjetra telefonatave të njëpasnjëshme të cilave kam refuzuar tu përgjigjem.” – thuhet në letër
Pas këtij episodi, Tafani, pretendon në letren drejtuar Këshillit Drejtues të RTSH-së se ndaj saj ka nisur një dhunë e pashembullt verbale dhe psikologjike përfshirë ndërshkime, paralajmërime, ndërprrja e daljes në ekran në edicionin qëndror me argumentin se: “nuk përqafoj projektin e drejtorit të Përgjithshëm”
"Letra bashkëshoqërohet edhe me një ekstrakt të mesazheve të dërguara", - thuhet në shkresen e pafirmosur.
E kontaktuar nga Versus.al Blerta Tafani deklaroi se ajo nuk e ka firmosur këtë shkresë, ndërkohë që saktësoi se për çëshjen në fjalë nuk ka bërë asnjë denoncim në Prokurori. Por ajo, as nuk e përjashtoi faktin që do t’i drejtohet organit të akuzës në vijim. Nga ana tij, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së Alfred Peza, nuk ka dhënë asnjë sqarim rreth motiveve të largimit dhe asnjë reagim në lidhje me shkresën e Tafanit. Ai në letrën e dorëheqjes së parevokueshme ka qenë lakonik, duke mos dhënë asnjë sqarim shtesë nëse ky largim vjen për arsye personale, shëndetësore, familjare apo për shkak të pretendimit të ngritur nga vartësja e tij.







