Ndonëse Policia ka dyshime të forta deri më tani se vrasja e Bujar Nasufit, të dielën, pranë shtëpisë së tij ka ndodhur për shkak të konflikteve apo çështjeve familjare që mund të lidhen me pronësinë, ende nuk ka arritur që të identifikojë një person të dyshuar lidhur me ngjarjen e rëndë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi në një deklaratë për mediat nxorri detaje të reja nga hetimi për vrasjen e 56 vjeçarit. Alushi tha se po përdoren të gjitha burimet nga shërbimet e Policisë së Shtetit, përfshirë edhe moetodat inteligjente policore, ndërsa ju bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim me strukturat vendore.
'Në lidhje me ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur ditët e fundit në Tiranë ku u vra me armë zjarri shtetasi Bujar Nasufi, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për zbardhjen sa më shpejt të kësaj ngjarje kriminale. Nën drejtimin e Prokurorisë po punohet intensivisht, duke përdorur metodat speciale të hetimit dhe shfrytëzuar Inteligjencën policore në fuksion të zbardhjes dhe dokumentimit ligjor të kësaj ngjarje.
Gjithashtu janë mbledhur dhe administruar prova shkencore dhe kompjuterike që do ti sherbejnë hetimit për zbardhjen e ngjarjes. Hetimet janë në dinamikë dhe komplekse dhe për këtë arsye nuk mund të bëjmë më dije të dhëna më shumë për këtë rast.' u shpreh para mediave drejtori i Policisë së Tiranës
Bujar Nasufi u ekzekutua mbrëmjen e 12 janarit nga një person i maskuar si shpërndarës picerie. Autori priti derisa bashkëshortja e viktimës u largua dhe e qëlloi teksa po parkonte makinën. Një ditë më pas policia gjeti të shkrumbuara një motomjet tek 'Kodrat e Sharrës' që dyshohet se është përdorur nga autori për ekzekutimin e 56 vjeçarit /Versus.al/








