
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me dy personat e arrestuar për mashtrim në Lezhë.
Mësohet se Shkëlqim Domi dhe Saimir Sallaki, janë paraqitur në emër të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i marrë shumën e parave biznesmenit Ylli Ujkaj, i cili është dhe president i ekipit të basketbollit ‘Besëlidhja’.
Kujtojmë që këta dy persona në bashkëpunim me shtetasin Shefik Kurti, më datë 14 korrik 2024, kanë përfituar 15 000 euro, nga administratori i një operatori ekonomik, duke komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.
Po të njëjtin biznesmen, të tre kanë tentuar ta mashtrojnë edhe me datë 17 korrik, por duket se në rastin e dytë biznesmeni e ka kuptuar që ishte një kurth dhe është drejtuar me një denoncim në polici.
Gjithashtu, këta shtetas kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro, nga një tjetër person, me anë të kësaj skeme mashtrimi.
Kjo skemë është tipike me rastet kur biznesmenë janë tentuar të mashtrohen ose kanë pre e kurtheve pas të cilave dyshohet se fshihet Florian Gjergji. Nuk dihet edhe nëse pas kësaj skeme fshihet sërish Florian Gjergji, por janë të shumta rastet kur janë zbuluar mashtrime të tilla.
Florian Gjergji është i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe mendohet që skemën dhe njerëzit i drejton nga Gjermania. Ai ka shfrytëzuar emra të rëndësishëm politikanësh për të marrë para nga biznesmenë të ndryshëm, por në pjesën më të madhe skema e tij është nuhatur dhe policia ka kryer arrestime në flagrancë në momentet që do të bëhej shkëmbimi i parave.







