
Durrës- Pesë persona janë arrestuar nga policia pasi akuzohen se kanë kërcënuar me sms presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka. Të njëjtët persona më pas i kanë shkuar edhe në banesë.
Në pranga kanë rënë, Brajan Selmani, Santiago Selmani, Redin Loci, Petrit Selmani dhe Nazmi Selmani. Ky i fundit mësohet se është president i klubit të futbollit "Iliria" në Fushë Krujë. Ndërsa Brajan dhe Santiago Selmani janë dy djemtë e tij, njëkohësisht edhe lojtarë të këtij klubi futbolli.
Në njoftimin e dhënë, bëhet me dije se për ngjarjen ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për dy persona të tjerë.
“Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë. Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë.
Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij”- thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja mendohet se ka ndodhur për shkak se Duka nuk ka pranuar të sigurojë favore për klubin e futbollit që drejton Nazmi Selmani. Ky i fundit, e mori drejtimin e klubit, një vit më parë. Versus.al







