Është zbuluar identiteti i 36-vjeçarit të arrestuar nga policia greke në Igumenicë pas kryerjes së të paktën 7 vjedhjeve brenda më pak se një muaji.
Ai është Fatjon Imamaj, 36 vjec nga Vlora, person me precedentë penalë në Shqipëri. Imamaj rezulton i arrestuar në prill 2022 në Himarë duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.
Imamaj u arrestua mbrëmjen e djeshme, në Kastri të Igumenicës. Ai u lokalizua në një zonë të pyllëzuar nga një ekip special i policisë që ishte ngritur për këtë qëllim, pas kontrolleve të kujdesshme, në kuadër të hetimit të vjedhjeve të ndodhura në zonën e gjerë të Igumenicës.
Siç rezultoi nga hetimet policore, nga data 21.10.2024 deri në ditën e djeshme, 36-vjeçari kishte kryer shtatë vjedhje banesash, nga ku kishte marrë sende me vlerë prej 50 mijë e 700 euro dhe një shumë prej 1640 eurosh.
Gjatë arrestimit i janë gjetur dhe konfiskuar sende me vlerë prej 10 mijë eurosh, mjete për vjedhje, elektrik dore dhe doreza pune. Gjithashtu u konstatua se ai kishte hyrë ilegalisht në vend, ndërkohë që ndaj tij ishte në pritje një urdhër-arresti lëshuar nga Prokuroria e Prevezës.