
Situata në qarkun e Dibrës është bërë alarmante për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe akullit, që kanë bllokuar “Rrugën e Arbrit”.
Lëvizja është bërë jashtëzakonisht e vështirë dhe vetëm mjetet me zinxhirë ose goma dimërore arrijnë të kalojnë.
Edhe në tunel situata paraqitet dramatike. Versus.al ju sjell pamje ku qarkullimi ka mbetur krejt i paralizuar
Radha e makinave nga të dyja anët e rrugës ka arritur deri në 10 kilometra, duke shkaktuar frustrim dhe ankth te drejtuesit dhe udhëtarët.
Policia apelon për kujdes maksimal: drejtuesit e mjeteve duhet të respektojnë normat e shpejtësisë, të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë dhe të mos rrezikojnë duke kaluar në kushte të pasigurta.
Por jo vetëm në Dibër situata është problematike. Në qarqe të tjera të vendit, rrugët janë bërë të rrezikshme për shkak të përmbytjeve, borës, ngricave dhe shiut të dendur. Temperaturat e ulëta dhe lagështira e madhe rrisin rrezikun e aksidenteve, duke vënë në vështirësi qarkullimin e përditshëm dhe transportin e banorëve.
Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndrojnë të informuar për situatën në rrugë.

