AKTUALITET /

“Do bëhemi lapidar këtu!” Çifliku shpërthen kundër bashkisë: Kanali mbyllet, përmbytja na merr para!!

Banorët dalin në protestë në Berat: Na rrezikohet jeta, bashkia na injoron dhe po e bllokon kanalin me inerte

Shkruar nga Versus

“Do bëhemi lapidar këtu!” Çifliku shpërthen

Banorët e fshatit Çiflik në Berat dolën mbrëmjen e së shtunës në protestë, të revoltuar kundër mbylljes së një kanali shkarkues, që sipas tyre është jetik për largimin e ujërave të lumit. Ata paralajmërojnë se me bllokimin e kanalit, i gjithë fshati rrezikon të përmbytet.

Me tone të ashpra dhe thirrje publike, banorët akuzojnë bashkinë se po merr vendime arbitrare, pa asnjë transparencë dhe pa asnjë masë parandaluese për përmbytjet, ndërsa institucionet lokale, sipas tyre, “nuk hapin derën”.

“Nuk e dimë si i marrin këto vendime. Shkuam në bashki, s’kishte njeri. Na gënjejnë. Po mbytemi kot. Nëse uji del në rrugë, mbytemi të gjithë. Nuk na shpjegon askush pse po e mbyllin kanalin”, shprehen banorët e indinjuar.

Ata pretendojnë se bashkia ka urdhëruar hedhjen e inerteve dhe zhavorrit për të bllokuar kanalin, duke e cilësuar këtë veprim si të rrezikshëm dhe kriminal për sigurinë e zonës.

Revolta ka shkuar edhe më tej, me akuza për presion nga policia dhe thirrje direkte ndaj kryeministrit.

“I bëj thirrje kryeministrit të heqë policinë nga këtu. Po na bëjnë presion. I mora në telefon dhe ma mbyllën. Ku të shkojmë? Të mbytemi? Në asnjë vend të botës nuk mbyllen kanalet. Kjo është korrupsion i pastër”, deklarojnë ata.

Banorët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen dhe se protesta do të vijojë, derisa kanali të hapet dhe rreziku i përmbytjes të largohet. “Nëse vazhdojnë kështu, këtu do bëhemi lapidar”, ishte mesazhi i fortë që mbylli protestën.

Poll