
Reshjet intensive të shiut të rëna gjatë orëve të fundit kanë sjellë një situatë të vështirë në disa qarqe të vendit, duke shkaktuar rritje të prurjeve të lumenjve, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi serioze në qarkullimin rrugor.
Sipas të dhënave zyrtare, qarqet më të prekura janë Shkodra, Durrësi, Lezha, Gjirokastra, Dibra dhe Berati, ndërsa në qarqet e tjera situata paraqitet e qëndrueshme ose me problematika të kufizuara.
Shkodër / Rrezik nga lumenjtë, zona të tëra nën ujë
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, veçanërisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat vendore dhe emergjencat civile janë në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të pandërprerë, ndërsa hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë. Nivelet e ujit aktualisht janë nën kuotat kritike, por rreziku mbetet prezent.

Durrës / Mbi 800 persona të evakuuar
Situata më e rënduar paraqitet në Qarkun Durrës, ku janë verifikuar 5 477 banesa dhe në 1 711 prej tyre janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ndërsa rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Autoritetet po vijojnë punën për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve.
Lezhë / Uji në tërheqje
Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka shënuar rënie. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë funksionuar me kapacitet maksimal, përveç atij të Gocajve, ku është raportuar mungesë energjie elektrike. Ndërkohë, niveli i lumit Drin është në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.
Rrëshqitje dherash në jug dhe verilindje
Në Gjirokastër dhe Dibër, reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash, duke krijuar vështirësi në disa segmente rrugore. Strukturat përgjegjëse po punojnë për pastrimin e akseve dhe për largimin e ujit nga disa objekte të përmbytura.
Berat dhe Elbasan / Tokat bujqësore të përmbytura
Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve të konsiderueshme bujqësore. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet vendore dhe qendrore.
Forcat e Armatosura në ndihmë të banorëve
Në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, po asistojnë në evakuimin e banorëve, transportimin e tyre, shpërndarjen e ndihmave dhe menaxhimin e situatave emergjente. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të prekura të kontaktojnë strukturat vendore për çdo nevojë dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren, në mënyrë që situata të menaxhohet sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja për jetën dhe pronën.

