
Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së dielës nga përplasja e dy makinave, ku ka mbetur i vdekur një 16-vjeçar me origjinë shqiptare, në Itali.
Lorenzo Çela u përfshi në një aksident me katër persona të tjerë dhe fatkeqësisht nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të rënda që kishte marrë.
I apasionuar pas futbollit, një lojtar i ri premtues nga Desenzano Calcio, Lorenzo po udhëtonte me makinë me të dashurën dhe nënën e saj. Për arsye ende të paqarta, automjeti i tyre u përplas me një automjet tjetër që vinte nga ana e kundërt.
Në makinën tjetër ndodheshin një djalë dhe një vajzë nga Castiglione. Përplasja kokë më kokë midis dy automjeteve ishte e frikshme, shkruan Il Giorno.
Në vendngjarje shkuan disa automjete të urgjencës, duke përfshirë dy ambulanca. Nëna e të dashurës së Lorenzos, një dyzet e pesë vjeçare nga Montichiari, është ende e shtruar në gjendje të rëndë në spital, ndërsa gjendja e vajzës 15-vjeçare dhe dy personave të tjerë, fatmirësisht është më pak shqetësuese.
Prindërit e viktimës, Alket dhe Fabienne, kanë bërë me dije se duan që të dhurojnë organet e djalit të tyre.
Lajmi i trishtë për vdekjen e tij tronditi qytetin ku jetonte dhe jo vetëm. Pasditen e djeshme, në vetëm pak orë, qindra persona shprehën dhimbjen e tyre në rrjetet sociale.
“Një goditje në zemër për këtë lajm shumë të trishtë. Xhaxhai yt Klodi ishte shumë krenar për ty, për arritjet dhe për arsimimin tënd të mrekullueshëm”, tha xhaxhai i tij.
Ndërkohë edhe vëllai i tij Davide është shprehur gjithashtu i shkatërruar nga dhimbja.
Një reagim ka bërë edhe ekipi i djalit, i cili për një muaj do të festonte 17-vjetorin e tij.
“Klubi Garda do ta kujtojë atë në ditët në vijim pasi la pas kujtime shumë të bukura”, thuhet në reagimin e klubit ku Lorenzo luante.
Ndërkohë nga policia e Castiglione vazhdojnë hetimet për të konstatuar shkakun e aksidentit tragjik që i mori jetën të riut./ Versus.al







