
Policia e Kolumbisë ka arrestuar shtetasin 25 vjeçar, Admir Tutaj më qëllim ekstradimin në Shqipëri, pasi tentoi të trafikonte 7 pistoleta nga Durrësi në Britani në prill të 2023.
Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë 'arrest me burg' për 25 vjeçarin për veprën penale 'trafikim armësh dhe municionesh'.
Më datë 10 prill 2023, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në portin e Durrësit, një arsenal armësh të fshehur në një furgon (7 pistoleta, një sasi të madhe municioni luftarak dhe aksesorë për armë), që dyshohet se do të trafikohej në Britani të Madhe, nga grupi kriminal ku bënte pjesë shtetasi A. T.

Njoftimi i Policisë
Vijon intensivisht, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, operacioni “Para drejtësisë”.
Pjesëtar i një grupi kriminal, i cili në prill të këtij viti, tentoi të trafikonte nëpërmjet portit të Durrësit, në Britani të Madhe, 7 pistoleta dhe municion luftarak, kapet në Kolumbi, 25-vjeçari.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve, në kohë reale, me partnerët e Interpol Bogota, Kolumbi, u mundësua kapja dhe arrestimi në Kolumbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit A. T., 25 vjeç, i lindur në Tropojë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 30.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Më datë 10.04.2023, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në portin e Durrësit, një arsenal armësh të fshehur në një furgon (7 pistoleta, një sasi të madhe municioni luftarak dhe aksesorë për armë), që dyshohet se do të trafikohej në Britani të Madhe, nga grupi kriminal ku bënte pjesë shtetasi A. T.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Bogotën, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri./ Versus.al







