
Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçurri, të arrestuar nga policia ditën e djeshme pas një megaoperacioni të zhvilluar kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, do të dalin sot para gjykatës për t’u njohur me masën e arrestit me burg.
Më pas pritet ekstradimi i tyre drejt shtetit fqinj Italisë për t’u gjykuar mbi akuzat që rëndojnë për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine duke bashkëpunuar me mafian italiane “Sacra Corona unita” dhe mafien kineze.
Në kuadër të megaoperacionit për të cilin u lëshuan 61 urdhër-arresteve, u arrestuan 21 persona. Dy krerët shqiptarë, Jurgen Kaçurri dhe Arjanit Maloku u kapën në Manëz. Ndërsa mësohet se gjatë ditës së djeshme dhe të martën, janë kryer kontrolle në pronat e zotëruara prej dy shqiptarëve.
Në total si pasojë e operacionit të zhvilluar në Shqipëri, Itali e Poloni, janë sekuestruar para ‘cash’, makina, ora rolex e sende të tjera me vlerë të cilat kapin vlerën deri në 60 milionë euro. Mes të arrestuarve është edhe përfaqësuesi i Sacra Corona Unita të Brindizit, Vincenzo Bruno si dhe arkëtari i klanit, të cilit iu sekuestruan gati një milion euro cash. Sacra Corona Unita ishin në kontakt me drejtuesit e grupit kriminal aktiv në Shqipëri që shiste kokainë, e cila importohej në Itali nga Holanda dhe Spanja.
“Dy grupe të ndryshme dolën dhe u bashkuan: një italo-kinez dhe një shqiptar. Ky i fundit menaxhonte drogën dhe i pari pastronte paratë”, shpjegoi komandanti provincial i Brescias i Guardia di Finanza Francesco Maceroni.
Grupi kriminal, me qendër në Shqipëri dhe me degë në Itali, importonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë, nëpërmjet rrugëve tregtare të transportit dhe më pas e çonte në Itali nëpërmjet Spanjës dhe Holandës, duke përdorur mjete të rënda. Sasitë e mëdha të kokainës do të ishin ruajtur për shpërndarje të mëvonshme në 5 baza operacionale, të vendosura kryesisht midis Brescia, Romano di Lombardia dhe Palazzolo sull'Oglio dhe në komuna të tjera në Italinë qendrore-veriore si Varese dhe Piza. Versus.al







