
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj ka dalë në një konferencë për mediat ku u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të gazetarëve. Mes tyre ishte edhe një pyetje nëse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë vënë nën përgjim nga SPAK.
“Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje me një përgjim të mundshëm ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses. Pasi u informuam për këto lajme, trupa vendosi t’i drejtohem kreut të SPAK Altin Dumani me kërkesë për informacion për hetim apo kallëzim ndaj ndonjë gjyqtari përsa kohë veprimet e referuara i referohen me vendimmarrje konkrete gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dorëzuar të mërkurën dhe e informova Dumanin se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje të posaçme për ndonjë çështje në hetim”- u përgjigj Zaçaj duke mohuar që ndonjë prej anëtarëve të Kushtetueses të ishte intimiduar apo kërcënuar nga politika.
Sa i takon kohëzgjatjes së mandatit të saj si anëtare e organit, Zaçaj u shpreh se e vuri në lëvizje gjykatën e Lartë për të shmangur një konflikt kushtetues dhe për të evituar përfshirjen e saj në mosmarrëveshje me organet e pushteteve të tjera. Versus.al







