
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit ka finalizuar një tjetër goditje të krimit të organizuar, duke çmontuar një grup kriminal që merrej me trafik armësh dhe lëndësh narkotike.
Në saj të këtij operacioni policia ka arrestuar 4 persona:
Boran Buzi – 48 vjeç, banues në Kallm, Fier, i dënuar më parë në Itali, me 30 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
Niko Osma – 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje;
Qamil Shurdhi – 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;
Besim Buzi – 33 vjeç, banues në Divjakë.
Operacioni i koduar “Procedimi” ka përfshirë katër qytete – Fier, Lushnjë, Shkodër dhe Kukës – me bazën logjistike të aktivitetit në Pikën Kufitare të Morinës.
Sipas njoftimit zyrtar, aktiviteti kriminal i këtij grupi daton që nga viti 2014, ndërsa gjatë hetimeve është dokumentuar trafik armësh, prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, si dhe kultivim i bimëve narkotike.
Më 2 qershor 2025, autoritetet kanë ushtruar 13 kontrolle në banesa, automjete dhe magazina, duke arrestuar katër persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndalimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.
Rezultatet e operacionit:
Sekuestrimi i 4000 bimëve narkotike (dy mijë prej të cilave në kubik)
Sekuestrimi i 5 mijë farave kanabisi
3 armë automatike dhe 2 armë gjahu
2 radio komunikimi të ngjashme me ato të policisë dhe 2 uniforma
3 automjete dhe 10 celularë
“Po ndjekim 204 procedime penale në kuadër të hetimit për këtë çështje.” u shpreh kreu i Prokurorisë së Fierit në një deklaratë për mediat.
Ky është operacioni i dytë për trafikun e armëve i goditur brenda pak kohësh. Vetëm një javë më parë policia goditi një grup që trafikonte armë nga Kosova në Shqipëri, ku arrestoi 10 persona dhe shpalli 2 në kërkim.







