
Zbardhen të dhëna të reja nga hetimi në lidhje me grupin e kokainës që sipas SPAK, drejtohej nga Aldi Zonja. Në pjesë të dosjes që ‘Versus’ ka lexuar, thuhet se Aldi Zonja është njeriu që ka organizuar trafikun e kokainës nga Kolumbia për në Shqipëri.
Ai kishte jetuar disa kohë në Republikën Domenikane dhe kishte krijuar lidhje, të cilat i kishin bërë të mundur gjetjen e kokainës, shuarjen e saj në lëkurë gjedhi dhe më pas organizimin për trafikimin e saj drejt portit të Durrësit.

‘Aldi Zonja ka bërë të mundur nisjen e një kontenjeri të kontaminuar me kokainë, nga Republika Domenikane drejt Shqipërisë. Kontenieri do të kalonte nga porti i Pireut, me destinacion final portin e Durësit. Kontenieri është nisur në datën 6 qershor 2024 nga porti i Caucedos, Republika Domenika dhe në 16 korrik do të mbërrinte në portin e Durrësit.’, thuhet në dosjen e parë nga Versus.
Nga ana tjetër, në Shqipëri lidhjet e Aldi Zonjës, Artjon Çaushllari dhe Klajd Birçe kishin organizuar të gjithë pjesën tjetër të punës, që do të kryhej pas mbërritjen në Shqipëri të ngarkesës me kokainë nga Republika Domenikane.
Për këtë qëllim në Shqipëri kanë ardhur persona me origjinë kolumbiane, të cilën dyshohet se do të bënte ekstraktimin dhe ngurtësimin e kokainës. Sa i takon këtij personi kimist mësohet se zona ku qëndronte ishte në një banesë me qera në afërsi të zonës së ‘Myslym Shyrit’.
Lëvizja e tij në Tiranë ishte në kordinimin e Artion Çaushllarit ku dhe komunikimi i tyre zhvillohej në gjuhën spanjolle. Lënda kimike e cila nevojitet për të bërë ndarjen me kokainën dyshohet se është siguruar nga Çaushllari. Këtë lëndë mësohet se është siguruar nga një kompani e ligjshme që vepron në Tiranë.

‘Kontenieri transportonte 24 ton lëkurë gjedhi ku dyshohet se ishte tretur kokaina në këtë ngarkesë. Kompania importuese është ‘Alb Lëkurë’ në pronësi të Ismail Heka.
Siaps dosjes, Artion Çaushllari ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me shtetasin Heka, me të arritur në Durrës, kjo ngarkesë me lëkurë gjedhi do të magazinohej në Mullet, në një ambient të marrë me qira nga Aldi Zonja. Në këtë magazine do të bëhej edhe ekstratimi i kokainës nga lëkura e gjedhit në bashkëpunim edhe me shtetasin kolumbian, Hiwlenn Ledezma Narvaez, i cili jeton në një banesë në zonën e ‘Myslim Shyrit’, në pronësi të Klajdi Birçe’, shkruhet në dosjen e lexuar nga Versus.
Në dosje, shkruhet se, prokuroria e posaçme ka dyshime që grupi kriminal mund të ketë nxjerrë drogë nga laboratori edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale. Në vendimin Gjykatës për vlerësimin e amsave të sigurisë, bie në sy një nga shtetasit e huaj që ishin marrë ka dyshime si ekspertë të ndarjes së kokainës nga lëkura.
Kolumbiani Hiwelenn Ledezma Narvaez me pseudonimin ‘Gafas’, kërkohet në vendlindjen e tij pasi konsiderohet si lider i një grupi kriminal të trafikut të kokainës.

Ai kishte një vit që ndodhej në Shqipëri teksa në gjykatë 2 venezuelianët dhe kolumbiani dëshmuan se kishin ardhur në vendin tonë për turizëm, tregti dhe ndërhyrje estetike. Emri i Narvaez rezulton në kërkim në kuadër të operacionit policor ‘Pacifico’, zhvilluar në nëntor të vitit 2023 ku në Kolumbi u arrestua edhe shtetasi shqiptar Klodian Zaimi, që rezulton se është djali i dajës së Artjon Çaushllarit, i arrestuar nga SPAK 3 javë më parë si një nga financuesit e tentativës së trafikimit.
SPAK thotë se në maj të këtij viti kolumbiani ‘Gafas’ ka qëndruar për disa orë në një vilë në një fshat të Pogradecit i shoqëruar nga Artjon Çaushllari dhe Klajdi Birçe të dy të arrestuar, ku dyshohet se kanë nxjerrë një sasi kokaine. Në këtë rast agjentët nuk kanë ndërhyrë pasi operacioni mund të dekonspirohej.







