
Disa qytetarë janë ngritur në protestë në qytetin e Durrësit në shenjë pakënaqësie për përmbytjen e shkaktuar nga reshjet e shiut dhe mungesa e masave për të shmangur këtë problem.
Qytetarët u shprehën se përmbytja edhi si pasojë e neglizhencës për të pastruar kanalet kulluese dhe mos funksionimi i hidrovorëve.
“Disa njerëz të tjerë, bashkë edhe unë, vendosëm që të organizonim një protestë sepse këta nuk po e marrin asnjë gjë serioze. Durrësi ishte qyteti që kishte më pak reshje, vetëm 43mm, në krahasim me qytetet e tjera, dhe kjo tregon se ka një problem tjetër, jo vetëm shiu. Kjo është përmbytja e tretë brenda një viti, dhe vjen pas ndërrimit të hidrovorit dhe pas disa tenderëve për sistemimin e kanaleve kulluese”, tha një protestues.
Qytetarët kërkuan që të vlerësohen dëmet e shkaktuara dhe të marrin dëmshpërblim nga shteti. Sipas tyre investimi i bashkisë me kanalet nuk ka ndikuar që situata e përmbytjes të shmangej.
“Gjithashtu, zonja kryetare e Bashkisë, Emiriana Sako, në vitin 2022 ka bërë një deklaratë në rrjetet sociale se po bëhej një investim për të mbyllur 2.6 km kanalesh të ujërave të larta që vinin nga kodrat drejt Spitalit, për të lehtësuar zbritjen e ujit poshtë. Por sot shihet qartë që këto masa nuk kanë funksionuar, dhe institucionet duhet të sqarojnë çfarë ka ndodhur.
Të shpallen dëmet, të dëmshpërblehen qytetarët dhe të bëhet një studim serioz që t’i japë fund këtij problemi njëherë e përgjithmonë. Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por e shkaktuar nga neglizhenca, dhe të gjithë inxhinierët që kemi konsultuar e konfirmojnë këtë”, deklaroi protestuesi.
Protestuesit kërkuan të gjendet zgjidhe për të shmangur përmbytjet në të ardhmen pasi kjo gjë sipas tij është e mundur./Versus.al

