Pak ditë më parë u vetëdorëzua në polici dhe sot doli para gjykatës së Posaçme.
Ish-drejtori i Policisë së Lezhës Henerigert Mitri është paraqitur ditën e sotme për masë sigurie.
Siç bëhet e ditur, ai ka heshtur në sallën e masës së sigurisë, ndërsa gjykata ka vendosur që ai të qëndrojë në qeli.
Nga ana tjetër, avokati Ardian Leka ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, nisur edhe nga fakti se Mitri është vetëdorëzuar në polici dhe nuk ka ndërmend ti shmanget akuzave.
Në maj të 2024 SPAK ka prerë urdhër-arrest për Henerigert Mitrin, ish-drejtorin e Policisë së Lezhës pasi rezulton i përfshirë në disa veprimtari kriminale. Konkretisht, Mitri akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Klodian Shahini rezulton se gjatë kohë që është angazhuar në veprimtarinë e kultivimit të drogës me drejtorin Henerigert Mitri, ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Qarkut Lezhë.
Gjithashtu, ish-drejtori i lartë i Policisë së Shtetit, sipas SPAK, Henerigert Mitri në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
"Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Henerigert Mitri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës. Po ashtu i hetuari Henerigert Mitri, në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës", thuhet në deklaratën zyrtare.
Preng Gjini i shpëtoi një atentati me minë në kryeqytet mbrëmjen e 15 shtatorit 2020. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje në një rreze të gjerë, edhe në zona të Tiranës që ndodhen shumë larg vendit të ngjarjes. Për shkak të këtij shpërthimi u plagosën lehtë edhe dy kalimtarë, një shtetas italian dhe një fëmijë.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka zbardhur përfshirjen e ish-shefit të Stërvitjes në RENEA, Altin Morina në kultivimin e drogës në zonën e Niklës dhe Tapizës. Gjatë kohë që ka qenë në detyrë si efektiv i Forcave Speciale RENEA, Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin.
"Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami, në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës", thuhet në vendimin e SPAK.







