Hetimet për transportimin e mbi 800 tonëve mbetje toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës janë shtrirë në dy qytete; Elbasan dhe Durrës. Mbetet enigmë dinamika dhe itinerari se si janë transportuar këto ngarkesa të mëdha drejt portit dhe se si janë lejuar të imbarkohen në anijen e nisur me 4 korrik nga Durrësi.
Fillimisht ka qenë Policia e Durrësit që ka kryer procedurat paraprake të verifikimit dhe procedimit penal, duke ia kaluar më tej dosjen Prokurorisë së Rrethit. Policia konfirmon kryerjen e procedurave, teksa e dyshuar për transportin e mbetjeve si nënkontraktor është kompania “Sokolaj”.
Nën hetim dhe verifikim mësohet se janë për veprën penale “shpërdorim detyre”, zyrtarë të Portit të Durrësit, të cilët dyshohet se kanë lejuar eksportin në kundërshtim me ligjin të mbetjeve drejt Tajlandës. Nga ana tjetër Dogana ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për ngarkesën.
Gjithashtu janë duke u kontrolluar dokumentet doganore përkatëse nëse procedurat janë kryer siç duhet apo dhe nëse ka mangësi në to.
Nën dyshim dhe verifikim është edhe kompania “Kurum”, nga dhe kanë dalë këto mbetje të kromit dhe Kadiumit, të nxjerra nga filtrimi i shkrirjes në furrën e çelikut dhe që cilësohen të dëmshme për shëndetin. Kurse kompania “Sokolaj shpk” është duke u hetuar sipas Nenit 202 të Kodit Penal, ‘transportimi i mbetjeve toksike’.
Nga hetimet deri me tani rezulton se i ka blerë mbetjet pranë “Kurum”, me destinacion Tajlandën, por po kryhen verifikime nëse ka edhe subjekte apo individë të tjerë përgjegjës.
Alarmi për mbetjet u dha më 5 gusht nga organizata joqeveritare e kontrollit botëror të mbetjeve toksike, “Basel Network Center” dhe dy ditë më pas u publikua nga media “Bloomberg”, duke vënë në lëvizje autoritetet. Tajlanda i ka kthyer mbrapsht dy anijet e kompanisë “Maersk”, “Compton” dhe “Candor”, me 100 kontejnerë në bord.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Durrësit nis hetimet për Veprën Penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara” mbi ngarkesën e nisur nga Porti i Durrësit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka regjistruar procedimin penal nr.1596, datë 16.08.2024, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për veprën penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i K.Penal në lidhje me një ngarkesë të nisur nga Porti i Durrësit.
Gjithashtu në këtë institucion, është referuar materiali hetimor nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku referohen informacione të marra nga media në lidhje me këtë ngarkesë për të cilën dyshohet se ka mbetje toksike.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës bën me dije, se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë, për të sqaruar në mënyrë të shpejtë dhe të plotë të gjitha rrethanat e ngjarjes./ Versus.al







