
Tiranë- Mungesa e një gjyqtarje u bë shkak për shtyrjen e seancës paraprake gjyësore në Apelin e GJKKO për Lart Haxhiun, të dënuarin në mungesë me burg të përjetshëm për masakrën e Lushnjës në 2017-ën.
I pranishëm në seancë ishte edhe kreu i SPAK, Altin Dumani si prokuror i çështjes. Seanca e radhës do të mbahet në 9 tetor në orën 12:00.
Kujtojmë se Laert Haxhiu ka apeluar vendimin e marrë nga GJKKO më 24 prill të këtij viti ku Haxhiu u dënua me burg përjetë për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës.
Këto dyshohet të jenë vetëm disa prej akuzave të cilat rëndojnë mbi Haxhiun, i cili sipas rrëfimeve të Artan Tafanit, grabitësit të pikës së këmbimit valutor në Tiranë, rezulton të jetë kreu i një bande që kryen veprimtari të paligjshme të grabitjeve, plagosjeve dhe shpërthimit të tritolit në disa raste.
Disa prej krimeve për të cilat akuzohet Laert Haxhiu dhe banda e tij:
Në shtator të vitit 2016, në një rrugicë të Lushnjës, Laert Haxhiu ndërsa po udhëtonte me një Smart, kishte qëlluar në drejtim të Xhulio Shkurtit dhe shokut të tij Saimir Xhelili, derisa i kishin mbaruar fishekët, duke i lënë të dy të plagosur. Për këtë ngjarje Laert Haxhiu u dënua në mungesë me 18 vjet burg.
Në 11 shtator të 2017 ndodh masakra e Lushnjes. Laerti, asokohe vetëm 25 vjeç, ekzekutoi Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën, vrasjet i kreu bashkë me shokun e tij, Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.
Në 1 tetor të 2019 biznesmenit Besmir Hida, daja i Zamir Latifit, mbetet viktimë e një atentati. Hida kishin ngritur shqetësimin në media dhe në polici për zbardhjen e vrasjes së nipit të tyre. Ai pinte kafe në lokal kur iu bë atentati nga dy persona që e qëlluan për vdekje.
Në 14 dhjetorit në vitin 2019, në orët e para të mëngjesit të u gjet në një lokal, i vrarë me një plumb në kokë Enver Boriçi. Familjarët e gjetën të ekzekutuar ish-anëtarin e bandës së Lushnjës, pasi kishte qenë duke pirë kafe. Plumbi në kokë i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 52-vjeçari, Enver Boriçi ishte vëllai i Arben Boriçit, i dënuar me burgim përjetë, si anëtar i bandës së Lushnjes.
Në 19 Tetor të vitit 2021 trupi i pajetë i Alban Semakut u gjet në afërsi të lumit Shkumbin. Viktima ishte qëlluar me tre plumba, një prej të cilëve në kokë. Alban Semaku sapo kishte dalë nga burgu i Peqinit, i dënuar për pjesëmarrje në një vrasje të dyfishtë në vitin 1998, atëherë kur mbante emrin e vërtetë, Elton Mermali i akuzuar si një nga ekzekutorët direktë të Bledar Haxhiajt, kushëri me Laert Haxhiajn.
Ditë më parë SPAK i kërkoi GJKKO-së edhe 90 ditë kohë për zbardhjen e krimeve të kryera nga grupi i Laret Haxhiut. GJKKO pranoi pjesërisht kërkesën duke dhënë vetëm 45 ditë kohë për SPAK-un. Versus.al







