Është vetëdorëzuar në policinë e Tiranës këtë të mërkurë (5 mars 2025) avokati Radovan Çela, i shoqëruar nga mbrojtësi ligjor Isuf Shehu.
Çela ndodhej në kërkim që prej muajit korrik 2024, pas një operacioni të zhvilluar nga SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen e cilësuar si “Zarka”.
Për këtë dosje ndodhet i arrestuar ish kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, ndërsa Astrit Vladi dhe Erjona Daupaj janë në kërkim.
Urdhër arrestet nga SPAK u lëshuan pas zbërthimit të bisedave nga aplikacioni Sky Ecc.
Avokati Radovan Çela akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm në 5 raste, kur 4 herë ka vepruar në bashkëpunim, ndërsa Astrit Vladi akuzohet se ka kryer 4 herë ushtrim ndikimi të paligjshëm në bashkëpunim dhe korrupsion aktiv.
“Nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Alfred Vladi, Radovan Çela, Eriona Dautaj dhe Aurel Zarka, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre”, deklaron SPAK./Versus.al







