Gjykata e Posaçme e Apelit pranoi sot kërkesën e SPAK duke lënë në fuqi konfiskimin e pasurive të Eldi Dizdarit, të njohur ndryshe me emrin Denis Matoshi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia ku i është caktuar “arrest me burg” për trafik droge.
Sipas letërporosisë italiane, Dizdari rezulton të jetë i përfshirë në disa raste të trafikimit të kokainës që prej vitit 2015 e në vijim.
Po kush është Eldi Dizdari?
Eldi Dizdari është kushëri i afërt me Arbër Çekajn, pronari i kompanisë së bananeve të arrestuar në Gjermani dhe tani po vuan dënimin në Shqipëri për trafikun e 613 kg kokainë që u sekuestrua para disa vitesh në Durrës.
Ai është i njohur edhe për masakrën në Bllok në 4 Tetor të 2018, pasi emri i tij u lakua shumë në media.
Më datë 4 tetor 2018 në një lokal në ish-Bllok, si pasojë e një përplasje me armë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, truproja i Ervis Martinajt, ku ky i fundit mbeti i plagosur së bashku me shokun e tij Eljo Hato.
Bazuar në burimet nga prokuroria dhe policia Ervin Mata dhe Dizdari ishin konfliktuar me njëri-tjetrin në rrugë, pikërisht përpara lokalit “Monopol”.
Në muajin shtator 2020, policia e Dubait njoftoi arrestimin e Eldi Dizdarit alias Denis Matoshit, për llogari të prokurorisë së Firences.
Në një njoftimin lidhur me operacionin ndërkombëtar antidrogë të koduar “Los Blancos”, thuhet Denis Matoshi, është udhëheqës i grupit kriminal shqiptar (KOMPANIA BELLO) - një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar e përfshirë në trafik droge dhe operacione kontrabande midis Amerikës së Jugut dhe Evropës me një vlerë prej 350 milion euro.
Pas përfundimit të dënimit u lirua.
Martesa me ish-missin Suada Sherifi
Në botën e showbizit emri i tij u përfol për martesën me ish-missin Suada Sherifi.

Në vitin 2016, Sherifi, deklaroi në një intervistë se kishte gjetur djalin ideal me të cilin ishte gati të martohej, duke u shkëputur kështu pak nga bota e televizionit e duke iu përkushtuar më shumë partnerit të saj, i cili për të ishte ‘bota’ e për të tjerët ‘Bossi’ i drogës.
Ndërsa Klevio Ahmeti i njohur dhe me emrin e artit Cllevio Serbiano, deklaroi pak kohë më parë se këngëtarja Xhensila Myrtezaj ishte në lidhje me një bos të kokainës.
Sipas tij, kjo ishte arsyeja përse Xhensila ishte ndarë nga partneri Bes Kallaku.
Deklarata nxiti reagimin e menjëhershëm të këngëtares, e cila hodhi poshtë çdo aludim dhe tha se do ta ndiqte në rrugë juridike.
“Sapo më nisën një video që një monstër Tik-Toku me fantazinë më të shthurrur ka baltisur emrin tim, me njerëz që nuk i njoh, e as emrin s’ja u kam dëgjuar kurrë. Plehrë që përdor një moment delikat mediatik, për të thurrur intriga dhe gënjeshtrat e tua", shkroi Xhensila.
Pas deklaratës së këngëtares, reperi përmendi emrin e shqiptarit të kërkuar ndërkombëtarisht nga disa shteti për trafik të kokainës dhe bëhej fjalë për shtetasin Eldi Dizdari.







