
Auditimi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për vitin 2024 ka gjetur mangësi të theksuara si në menaxhim me punësimet që nuk përmbushnin kushtet e caktuara, deri në kontrollin e barnave të rimbursueshme.
Në dokumentin prej 413 faqesh, KLSH ka gjetur disa shkelje që tregojnë dobësi të vazhdueshme në zbatimin e detyrimeve të kontratave dhe të mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Një prej shkeljeve është mungesa e kontrollit të barnave të rimbursueshme dhe të çmimeve. Sipas raportit të KLSH, grupi i kontrollit në institucionin e audituar, nuk ka verifikuar zbatimin e çmimeve të miratuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme duke cënuar transparencën e kontrollit financiar. Gjithashtu në inventarin e institucionit mungon dokumentimi i datës së skadencës së barnave. Kjo neglizhencë ka krijuar kushtet që barnat e skaduara ose pranë skadencës të qarkullojnë në tregun e hapur, të përdoren nga pacientët dhe të rimbursohen nga fondet publike në rastin kur është shitur në farmacitë me kontratë.
"Ky fenomen përbën shkelje të protokolleve mjekësore të përdorimit të barnave dhe bie në kundërshtim me standardet e sigurisë dhe cilësisë", thuhet në raportin e Auditit.
Përsa i takon mungesës së barnave në farmacitë spitalore, auditimi i bërë në farmacitë spitalore të Durrësit, Shkodrës, Elbasanit dhe Korçës zbuloi mangësi të barnave alternative të vetme. Për 26 barna të cilat 14 janë “alternativë e vetme” dhe 12 “alternativë e parë”, nuk ka pasur disponueshmëri as në fillim të inventarit më 07.12.2022 dhe as në fund më 20.02.2024 dhe kjo problematikë nuk është pasqyruar në strukturat drejtuese të FSDKSH-së.
Rimbursim i padrejtë
Sipas auditimit për lidhjen e kontratave të reja për vitin 2024, u gjet se për subjektin P.P u regjistrua si “çelje inventari fillestar” 8,913,213 njësi me vlerë 217,781,840 lekë, ndërkohë që nga inventari fizik rezulton një diferencë e pajustifikuar prej 8,871,835 njësi me vlerë 216,948,302 lekë.
"Këto sasi të konsiderueshme të regjistruara si çelje të inventarit fillestar, janë të pa justifikuara dhe të pa deklaruara në inventarin fizik të dorëzuar nga subjekti “P. P.”, për rrjedhojë duke sjellë deklarim fiktiv dhe më pas shitje me fatura tatimore si dhe rimbursim të pa drejtë, të cilat sipas përllogaritjes së grupit të auditimit bazuar në çmimet për njësi të deklaruara shkojnë në vlerën 216,948,302 lekë"- nënvizon raporti.
Disa farmaci kanë përfituar rimbursim të plotë nga institucioni i FSDKSH për barna të marrë pa asnjë kosto blerjeje, përmes faturave me vlerë zero duke përfituar financiarisht në mënyrë të pajustifikueshme me një metodë që ka cënuar skemën e rimbursimit.
Kujtojmë se për këtë insitucion edhe prokuroria e Tiranës ka gjetur shkelje dhe gjatë vitit 2025 lëshoi 8 masa sigurie për punonjës të cilët dyshohet se kishin krijuar fatura dhe inventarë fiktivë me qëllim që “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit të përfitonte nga rimbursime të konsiderueshme. Versus.al



