AKTUALITET /

Ish-të përndjekurit politikë 5 ditë në grevë urie: Rama të na plotësojë kushtet, mos të na lejë të vuajmë kaq shumë

Shkruar nga Versus

Ish-të përndjekurit politikë 5 ditë në grevë urie:

6 ish të përndjekur politik janë futur në grevë urie. Prej 5 ditësh ato kanë vendosur që të bëjnë rezistencë deri në plotësimin e kushteve të tyre, një status për ish të përndjekurit politik dhe të trajtohen me dinjitet.

Si një problematikë që nuk ka gjetur një zgjidhje prej vitesh, nga asnjëra qeveri, ish-të përndjekurit kërkojnë një trajtim financiar të ndryshëm nga sa kanë marrë deri më tani.  Një prej tyre thotë se paguhet vetëm 200 mijë lekë të vjetra në muaj, nga të cilat 120 mijë lekë shkon për qiranë e shtëpisë dhe pjesa tjetër për ilaçe.

“Kërkojmë statusin e të përndjekurit politik, kam bërë 8 vite burg nga 16 që jam dënuar. E ndjej veten sërish sikur jam pa shtëpi, as shtëpi skam marr një pension qesharak, nuk kam me çfarë të marr as ilaçet. Asnjë qeveri nuk na ka mbështetur, unë marr 200 mijë lekë që nuk më dalin asgjë, 120 mijë lekë paguaj qiranë, po ilaçet që i marr javë për javë me çfarë t’i blej. Kam ardhur nga Elbasani, ja ilaçet ku i kam, më tha doktori rri në spital se je sëmurë po i thash nuk i lej dot shokët ne do ta çojmë deri në fund këtë që nisëm. Të shohim çfarë do bëj Edi Rama se Berisha nuk na ofroi asgjë”.

“Nata e 5-të është më e vështirë, gjendja jonë po përkeqësohet por ne e kemi nisur këtë rrugë dhe do ta çojmë deri në fund. Ne na ka detyruar halli të vijmë këtu, që të na japin drejtim. Kemi bërë grevë që në 2012, e vijojmë kemi e shokë të tjerë që janë në gjendje më të vështirë shëndetësore që kishin dëshirë të vinin por nuk mundeshin. I bëj thirrje shtetit, Edi Ramës të na plotësojë kushtet mos të na lejë të vuajmë kaq shumë”, tha ish-të përndjekurit politik.

Greva po zhvillohet para parlamentit, aty ku është dhe godina e Institutit të Trajtimit të ish të Përndjekurve Politik.

Ish të përndjekurit kërkojnë pensione speciale, pagesat për punën e kryer në burg, që nuk u është paguar, si dhe mos preket godina e ish-të përndjekurve politikë./Versus.al

Poll