Këshilli Federal Zviceran ka njoftuar se do të përfundojë bashkëpunimin dypalësh për zhvillim me Shqipërinë, Bangladeshin dhe Zambinë deri në vitin 2028, si pjesë e një ristrukturimi të ndihmës ndërkombëtare. Ky vendim u bë i ditur në një deklaratë për media të mërkurën, duke reflektuar ndryshimet në prioritetet strategjike të Zvicrës në skenën globale.
Sipas njoftimit, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) do të mbyllë programet e saj dypalëshe në këto vende pas një periudhe tranzicioni të planifikuar deri në vitin 2028. Kjo vjen si pasojë e një vendimi të parlamentit zviceran, i cili miratoi reduktimin e fondeve për bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim.
Arsyet e vendimit
Në deklaratë thuhet se ky vendim është marrë duke marrë parasysh disa faktorë, përfshirë:
• Kërkesat në terren dhe efektivitetin e ndihmës së deritanishme
• Interesat diplomatike dhe ekonomike afatgjata të Zvicrës
• Prioritetet globale të bashkëpunimit zviceran në krahasim me vende të tjera
Sektori Humanitar dhe Ukraina do të përjashtohen nga kjo masë e ndërmarrë.
Megjithatë, ndihma humanitare, promovimi i paqes dhe mbështetja për Ukrainën do të vazhdojnë dhe nuk do të preken nga këto shkurtime. Po ashtu, nga viti 2025, Zvicra do të ndalojë kontributet e saj për organizata shumëpalëshe si Partneriteti Global për Arsimin, UNAIDS dhe UNESCO.
Ky ndryshim pritet të ndikojë në projekte të rëndësishme zhvillimore në Shqipëri, të cilat kanë përfituar nga ndihma zvicerane në sektorë si demokracia, qeverisja, arsimi dhe infrastruktura. Autoritetet zvicerane do të bashkëpunojnë me partnerët lokalë për një kalim sa më të butë deri në përfundimin e programeve. /Versus.al/







