Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka marrë masa disiplinore ndaj ish-drejtorëve të Policisë së Lezhës për shpërdorim detyre, pas zbulimeve për lojëra fati dhe kultivim kanabisi në qytet.
Sipas vendimeve të Drejtorisë, ish-zv/drejtori për Rendin, Taulant Gjoka, dhe ish-shefi i Komisariatit, Oltion Gjoni, janë përjashtuar nga Policia, pasi përgjegjësia e tyre për kontrollin e territorit nuk u ushtrua si duhet për veprat penale të organizimit të lojërave të fatit dhe kultivimit të drogës.
Ndërkohë, ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Altin Mena, ka pësuar ulje në gradë për 5 vite dhe aktualisht shërben si zv/drejtor për rendin në Policinë e Kukësit, ndërsa zv/drejtori për Krimet, Kujtim Gjoka, ka pësuar shtyrje të afatit të gradimit.
Burimet bëjnë me dije se masat vijnë pas zbulimit të një kazinoje trekatëshe me mbi 20 makina lojërash dhe sallë pokeri, si dhe një magazine ku kultivoheshin mbi 1 mijë bimë kanabis.
Gjithashtu, gjatë drejtimit të ish-drejtorëve, një shtëpi bari funksiononte prej muajsh në mes të rrugës nacionale.
Pas marrjes së detyrës nga drejtori i ri i Policisë së Lezhës, Islor Islami, u ndërmorën ndërhyrje të shpejta, duke sekuestruar drogën dhe mbyllur kazinonë. Burimet e Drejtorisë së Standardeve thonë se presin që edhe AMP të nisë hetime ndaj ish-drejtorëve.
Situata nxjerr në pah mungesën e kontrollit të drejtuesve të mëparshëm dhe rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të strukturave policore në territor./Versus.al

