
Dëmtimi i rëndë i segmentit të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, në zonën e Arrave të Dragostunjës, ka sjellë një krizë infrastrukturore me pasoja të dukshme për qarkullimin dhe jetën e përditshme të qytetarëve në zonën Juglindore.
Kjo arterie strategjike, që lidh kryeqytetin me juglindjen, është kthyer në një pikë kritike për transportin dhe ekonominë rajonale.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe institucionet shtetërore janë në alarm të plotë, duke kërkuar zgjidhje emergjente për hapjen e aksit, por edhe një plan afatgjatë që të garantojë sigurinë e segmentit.
Burime nga grupet teknike bëjnë me dije se diskutimet kanë vijuar deri në mesnatë dhe sot pritet një tjetër tryezë intensive me inxhinierët më të mirë të vendit për të rishikuar qasjen teknike ndaj zonës problematike.
Në ditët e ardhshme pritet një vlerësim i plotë tektonik dhe gjeodinamik i zonës ku po punonte kompania ANK shpk.
Situata konsiderohet tashmë një emergjencë kombëtare infrastrukturore, pasi bllokimi i aksit ka ndikuar në transportin e mallrave, lëvizjen e qytetarëve, shërbimet publike dhe ekonominë rajonale.
Mbrëmjen e djeshme në një emision televiziv, kreu i ARRSH Ami Kozeli tha se nuk dihet ende dhe se priten rezultatet e studimeve gjeologjike.
ARRSH njoftim për qytetarët:
ARRSH sqaron se po kryhet rivlerësim gjeologjik në terren. Autoriteti Rrugor Shqiptar udhëzon që, në këto kushte, personat që udhëtojnë me automjete të përdorin rrugët Maliq-Lozhan-Strelc-Gramsh-Elbasan dhe Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Leskovik- Përmet-Tepelenë.
Ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë sugjerohet që të përdoren akset rrugore Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit.
“Qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec.
Ky segment, i cili pritej të hapej mesditën e sotme, ka pësuar rrëshqitje masive toke, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm.
Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.
Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje. Ndërkohë specialistët në terren po shohim mundësinë e lëvizjes vetëm për mjete e vogla dhe të emergjencave në një rrugë në zonën përreth.
ARRSH, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, sugjeron përdorimin e akseve alternative si më poshtë:
Për autoveturat:
Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit
Duke kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë banorëve të zonës, ju lutemi të ndiqni me kujdes sinjalistikën rrugore si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore“, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Rruga që lidh Librazhdin me Prrenjasin është shembur dhe është bërë e pakalueshme që nga data 21 shkurt 2026./Versus.al


