Gjyqtarja Iliriana Olldashi e cila ishte caktuar për të shqyrtuar kërkesën e Ajola Xoxës mbi heqjen e sekuestrove të sendeve të saj, është tërhequr përkohësisht nga çështja.
Sipas njoftimit të GJKKO, Olldashi ka paraqitur një raport për paaftësinë e përkohshme në punë. Ndërsa në vend të saj, ankimi i Ajola Xoxës do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi ditën e nesërme.
“Duke qenë se, gjyqtare Iliriana Olldashi ka paraqitur aktin ‘Raport për paaftësinë e përkohshme në punë’, çështja nr. 53, datë 12.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.X., Shoqëria Tregtare “*” sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 736, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me kundërshtimin e vendimit për sekuestrimin e sendeve”, sipas disponimit nr. 01 Prot., datë 06.01.2025 të Zëvendëskryetarit të gjykatës “Lista vjetore e miratuar që përcakton gjyqtarët për gjykimet e rasteve urgjente”, i kaloi per gjykim trupit gjykues monokratik pasardhës, gjyqtarit Engert Pëllumbi” – njofton gjykata e posaçme.
Xoxa bëri ankim më datë 20 dhjetor kundrejt sekuestros së celularit dhe dokumenteve që iu gjetën në “Partners Law”. Versus.al







