
Valbona Xoxa, nëna e Ajola Xoxës është paraqitur mëngjesin e sotëm në SPAK. Raportohet se do të pyetet nga prokurori i posaçëm Olsi Dado lidhur me hetimet që po kryhen ndaj së bijës dhe bashkëshortit të saj Erion Veliaj i cili prej 9 shkurtit është i arrestuar.
Konkretisht, Valbona Xoxa do të pyetet rreth transaksioneve të kompanive të së bijës e cila aktualisht është nën masën e sigurisë "detyrim paraqitje", pasi gjykata e posaçme e pa të arsyeshme t'i ndryshonte masën "arrest shtëpie" në mënyrë që ta kishte të mundur të dërgonte djalin në shkollë.
Apeli i GJKKO sot shqyrton edhe ankesën e Ajola Xoxës për sendet e sekuestruara të saj në dhjetor të vitit të kaluar gjatë kontrolleve që zhvilluan agjentët e BKH në mjediset e kompanisë së saj "Harabeli" dhe një apartament në zonën e ish-bllokut.

Ndërsa në SPAK mëngjesin e sotëm u paraqit edhe biznesmeni Gentian Sula, një prej 6 biznesmenëve që po hetohen për lidhje klienteliste me kryebashkiakun e arrestuar, Erion Veliaj. Sipas detajeve nga dosja e hetimeve për këtë të fundit, Veliaj dyshohet se ka favorizuar kompaninë e Sulës në tendera publikë.
Erion Veliaj i cili mbahet në paraburgimin e Durrësit, ka vijuar me postime të përditshme në rrjetet sociale ku hedh akuza ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado se ai po përpiqet ta njollosë për hakmarrje personale duke pretenduar se hetimet ndaj tij po zhvillohen për shkak se nuk i dha prokurorit leje për ndërtimin e pallatit. Versus.al







