AKTUALITET /

Kërkohej nga Shqipëria për evazion fiskal 150 mijë euro, arrestohet në Itali pronari italian i fabrikës së këpucës

Prania e 34-vjeçarit u zbulua përmes sistemit elektronik të verifikimit të klientëve të hotelit, i cili sinjalizoi se ai rezultonte në kërkim ndërkombëtar.

Shkruar nga Versus

Kërkohej nga Shqipëria për evazion fiskal 150 mijë euro,

Një shtetas italian 34-vjeçar i cili kërkohej nga Shqipëria pasi akuzohej për evasion fiskal në shumën 150 mijë euro, është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Sipas mediave italiane, arrestimi u krye nga policia në qytetin e Fondit, në provincën e Latinës, gjatë kontrolleve rutinë në një strukturë akomoduese.

Prania e 34-vjeçarit u zbulua përmes sistemit elektronik të verifikimit të klientëve të hotelit, i cili sinjalizoi se ai rezultonte në kërkim ndërkombëtar.

Pas sinjalizimit, efektivët mbërritën në hotel, verifikuan identitetin e tij dhe e shoqëruan në komisariat. Kontrollet në bazën e të dhënave të Interpolit konfirmuan se ndaj tij ishte në fuqi një urdhër arresti i lëshuar nga autoritetet gjyqësore shqiptare për qëllime ekstradimi.

Sipas dosjes hetimore, 34-vjeçari akuzohet për evazion fiskal në vlerën e rreth 150 mijë eurove, në lidhje me aktivitetin e një fabrike këpucësh që administronte në Shqipëri. Për këtë çështje, autoritetet shqiptare kishin caktuar më herët një masë sigurie, ndërsa procedimi penal ndaj tij është ende në zhvillim.

Pas arrestimit, ai u transferua në burgun e Latinës dhe do të qëndrojë në dispozicion të Gjykatës së Apelit, e cila do të shqyrtojë kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tij.

Gjykata pritet të vendosë brenda 96 orëve mbi vlefshmërinë e arrestit dhe vijimin e procedurës së ekstradimit./Versus.al

 

Poll