AKTUALITET /

Kreu i policisë takohet me kryeprokuroren belge: Çdo shqiptari të dënuar në Belgjikë, t’i hetohet pasuria

Ka qenë vetë shefi i policisë shqiptare, Ilir Proda ai që ka propozuar që çdo shtetasi shqiptar në Belgjikë t'i hetohet pasuria, si veprim në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge.

Shkruar nga Versus
Kreu i policisë takohet me kryeprokuroren belge: Çdo shqiptari
Kryeprokurorja belge Ann Fransen dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda

Drejtori i policisë së Shtetit, Ilir Proda ka pritur sot në një takim kryeprokuroren e Belgjikës Ann Fransen me të cilën diskutoi lidhur me thellimin e bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge në tre pika konkrete:

-hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale;

-konstatimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike;

-gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të krimit.

Në takimin ku morën pjesë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe magjistratë të Mbretërisë së Belgjikës, titullarët u dakordësuan për vënien të dispozicion të skuadrave të përbashkëta hetimore, të ekspertëve më të mirë, të cilët do të shkëmbejnë informacione dhe eksperienca, do të kryejnë hetime dhe do të aplikojnë metodat më të mira operacionale dhe policore, me qëllim goditjen e krimit të organizuar. Gjithashtu, gjatë takimit ata vlerësuan punën profesionale të oficerës së kontaktit në Shqipëri, znj. Eva Mielnicki.

Proda i propozoi kryeprokurores Fransen, nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, si dhe kërkoi që për çdo shtetas shqiptar të dënuar në Belgjikë, të bashkëpunohet me Policinë e Shtetit, në mënyrë që të nisë hetimi pasuror.

Ndër të tjera, kreu i policisë e garantoi kryeprokuroren, se partnerët belgë do të gjejnë te Policia e Shtetit, gatishmëri, vullnet, angazhim, përkushtim, profesionalizëm dhe besueshmëri në cdo iniciativë që do të ndërmerret për të luftuar krimin e organizuar. Versus.al

Poll