
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja është gjendur ditën e sotme në ambientet e kompanisë Kurum, pas disa ditësh negociata për çështjen e 500 punonjësve që u larguan nga puna.
Llatja pohoi se pas mbledhjes së organizuar me drejtuesit e kësaj kompanie janë arritur disa marrëveshje.
Ai tha se për çdo punëtor që do të nisë punën do të jepet nje pagë e plotë, ndërsa për punonjësit e tjerë do të jepet një pagë prej 35.000 lekë deri në momentin që do të nisë prodhimi, pra në afat të pacaktuar.
“Çdo punëtor që do të vazhdojë punën do të trajtohet me pagesë të plotë. Të gjithë punonjësit e tjerë do të trajtohen me pagë 35.000 me afat të pacaktuar derisa të nisë prodhimi. Për uzinën e petëzimit morëm garanci se do të hapet brenda këtij viti kalendarik", tha kryebashkiaku.
Kompania turke ushtronte aktivitetin e saj në zonën e ish Kombinatit Metalurgjik në Elbasan.
Emri i saj është më i lakuari i ditëve të fundit për sa i përket qindra ton mbetjeve të rrezikshme që u nisën drejt Tajlandës nga Porti i Durrësit./ Versus.al







