Hetimet për operacionin e ndërmarrë nga SPAK pasditen e 15 nëntorit 2024 me arrestimin e 7 shtetasve shqiptarë dhe 3 shtetasve të huaj, 1 kolumbian dhe 2 nga Venezuela që trafikonin kokainën nga Amerika Latine drejt Shqipërisë e ka zanafillën dy vite më parë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije për Versus.al se dosja e trafikantëve të kokainës ka patur si indicie një tjetër procedim penal të ngjashëm. Bëhet fjalë për laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, ku pranë banesës së Viktor Çervanakut, një ish-funksionari vendor socialist, u zbuluan 485 kg kokainë e fshehur në plehra kimik, dy vite më parë.
Teksa SPAK po hetonte këtë çështje ra në gjurmët e një tjetër rrjeti kriminal të strukturuar, duke ndarë fraksionin më vete, ku gjatë hetimeve janë ndjekur metoda proaktive hetimi. SPAK pretendon se disponon përgjime telefonike, ambientale dhe vëzhgime e filmike rreth aktivitetit kriminal.
Ndërsa ditën e sotme GJKKO la në fuqi masat e sigurisë për 10 të arrestuarit nga ky operacion si pjesë të grupit kriminal.
Sipas njoftimit të SPAK një nga aspektet më të veçanta e këtij grupi ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit.
Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian./Versus.al







