
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, ka thirrur në mbledhje drejtorët e burgjeve pas arratisjes së Altin Ndocit dhe shkarkimit të drejtorit të burgut në Durrës. Lamanllari ka kërkuar të merren masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje. Gjithashtu, kërkoi transferimin e të dënuarve, apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë.
Në një seksion të veçantë në Durrës, aktualisht ndodhen 27 personazhe të botës së krimit, të konsideruar të rrezikshmërisë së lartë, mes 54 të dënuarve dhe 152 të paraburgosurve gjithsej. Altin Ndoci ishte një prej tyre, ndërsa personazh i njohur i botës së krimit është edhe Lulzim Berisha.
Në Burgun e Durrësit vijojnë të qëndrojnë ish-deputeti Jurgis Çyrbja, Erion Veliaj, Ilir Beqaj, si edhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të akuzuar nga SPAK dhe në proces gjykimi.
Deklarata e plotë e Besfort Lamallarit:
Thirra sot një takim të posaçëm me drejtuesit e të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend. Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, kam kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.
Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsiduruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë.
Kam urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cënim të sigurisë.
Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde.
Çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cënon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjenicitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë. Në çdo rast përgjegjësit do të përballen ligjërisht pa kompromis dhe pa humbur kohë me pasojat e veprimeve të tyre./Versus.al

