
Kryeministri Edi Rama gjatë panelit të mbajtur në Abu Dhabi në kuadër të samitit të Javës së Zhvillimit foli edhe për ministren virtuale “Diella” e cila shkaktoi bujë edhe në mediat e huaja për faktin se ishte ministrja e Inteligjencës Artificiale në botë.
Rama tha se Diella po punon për të transferuar korpusin ligjor të BE në legjislacionin shqiptar, ndërsa shtoi se së shpejti prokurimet nuk do të bëheshin më nga njerëzit, por nga ministrja virtuale. Më tej tregoi sesi ishte frymëzuar për ta patur një ministre virtuale nga vendimi i befasishëm i homologut të tij malazez për rritjen e pensioneve.
“Që prej disa vitesh 95% e shërbimeve tona ofrohen në internet. I kemi mbyllur zyrat e kontaktit të shërbimeve, nuk ka më radhë, nuk ka kohë të humbur. Me IA ne po e përdorim për të gjithë procesin e transferimin e legjislacionit të BE në korpusin tonë ligjor. Po kështu kemi një ministre të IA, jo për IA. Kemi një doktor sulltan por është grua. Ajo punon për shërbimet dhe po punon për transferimin e korpusit ligjor të BE dhe për prokurimet publike me IA. Për t’i hequr njerëzit nga procesi dhe për të bërë që prokurimet të bëhen me Inteligjencë Artificiale.
U frymëzova nga një professor që drejtoi Malin e Zi disa vite më parë. Ishim në një darkë mes miqsh dhe ai bëri një rritje pensionesh që tronditi FMN dhe në fakt u çuditën si e kishin bërë. Dhe ai tha si Nike, ‘thjesht bëje’”- u shpreh Rama. Versus.al


