Për herë të parë kanë dalë në dritë detaje të pathëna dhe dyshimet për atentatin që tronditi Shkodrën.
Por fillimisht para se të shkojmë te gjetjet dhe dyshimet e grupit hetues, le të ndalemi te vetë dinamika e krimit të shumëfishtë të ndodhur në fshatin Dobraç, atë fillim pasdite të datës 30 Tetor 2024.
Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, informacioni i parë mbi atë që kishte ndodhur në rrugën që lidh Koplikun me Shkodrën, në vendin e quajtur Rruga e Tuzit në fshatin Dobraç, u raportua se kishin të bënin me një aksident rrugor me humbje të shumta jete, por në fakt thirrja e dytë që nuk do të vononte në sallën operative të policisë, nuk bënte më fjalë për një aksident me përmasa tragjike, po për një atentat të shumëfishtë, të frikshëm në jetë njerëzore.
Dinamika e Krimit
Si pasojë e të shtënave të shumta me armë, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe më pas është përplasur me një motor me targa EDN 436, ku për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i motorit shtetasi Bashkim Basha i datëlindjes 1957, i cili ka ndërruar jetë disa ditë më pas në spital, si dhe ka mbetur e vdekur në vendngjarje bashkëshortja e tij Flutura Basha, e vitit të lindjes 1968.
Po kështu në vendngjarje u konstatua se personi i parë që ka ndërruar jetë në makinë është drejtuesi i mjetit Hamza Lici, i datëlindjes 2001, ndërsa personi i dytë në makinë, i cili ka ndërruar jetë disa orë më pas në spital, si pasojë e plagosjes me armë zjarri, është Arlind Bushati, i datëlindjes 1992.
Edhe pse në fillim u raportua për një aksident tragjik, në fakt plumbat e shumtë të mbetur në vendin e ngjarjes dhe ato që kishin depërtuar në makinën me të cilën lëviznin viktimat, lanë të kuptonin shpejt se ngjarja kishte një aspekt kriminal.
Kjo gjë u vërtetua edhe nga vetë profili i viktimave, aktiviteti i tyre si edhe përplasjet në të cilat ishin përfshirë kohë pas kohe familjet apo anëtarë të tyre të gjakut.
Ku në këtë pritë, të dyja palët, krahas qitësve të cilët derdhën plot 50 plumba mbi shënjestrat e tyre, edhe viktimat, qarkullonin të armatosur me disa armë me vete, të cilat u gjetën në makinë gjatë kontrollit të parë që iu bë automjetit të tyre.
Dosja Hetimore
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetues sekuestroi 42 gëzhoja armë zjarri.
Në automjetin me targë ST 3510 AL u sekuestruan 9 gëzhoja metalike, 1 armë zjarri ‘Glock’ ngjyrë e zezë me krëhër të vendosur me 13 fishekë.
Një armë zjarri ‘Glock’, ngjyrë kafe me numra të fshirë, si dhe një armë zjarri ‘Glock’ me numra të stampuar, një faturë dërgëse parash, etj.
Brutaliteti me të cilin u qëllua automjeti ku udhëtonin dy objektivat e atentatit, u pa edhe te plumbat që kishte marrë drejtuesi, Hamza Lici, të cilit iu gjetën në trup 17 plumba, ndërsa miku i tij Arlind Bushati, i ndodhur në sediljen e parë të makinës, kishte marrë vetëm një të tillë në kokë, që i shkaktoi më pas vdekjen në spital.
Vetëm një orë e pak minuta nga konsumimi i këtij krimi, policia u njoftua se jo shumë larg vendit të atentatit, po digjej ndërkohë një automjet. Makinë e cila më pas rezultoi se ishte e njëjta me atë të përdorur në atentatin e shumëfishtë në Dobraç.
Makina e Autorëve
Rreth orës 17:00, policia ka marrë njoftim se në fshatin Golem, Njësia Administrative Rrethina, në aksin dytësor rrugor të shtruar më çakëll me drejtim lëvizje rruga Koplik-Shkodër-Stom Golem, është gjetur një mjet tërësisht i djegur.
Nga verifikimi paraprak u arrit të konstatohej stema e markës ‘Land Rover’. Si edhe targa e mjetit e mbuluar me mbetje të djegura PG CU 597. Po kështu gjatë kqyrjes së brendshme të këtij automjeti u gjetën në vendin e parë, një armë zjarri e djegur dhe në ndenjësen e pasme të pasagjerit një tjetër armë zjarri.
Do të ishte zbulimi i këtij automjeti të përdorur nga autorët, i cili ishte deklaruar i vjedhur në muajin prill të vitit 2024 në qytetin e Durrësit si edhe i personave të cilët kishin grabitur këtë makinë, që do të sillte për grupin hetues një detaj deri në këtë moment surprizë për ta. Atë se si një nga autorët e grabitjes së makinës ‘Land Rover’ me të cilën toga e qitësve lëvizi dhe qëlloi në masakrën e Dobraçit, kishte udhëtuar po kështu me një nga shënjestrat e këtij atentati. Konkretisht me Arlind Bushatin, gjë që u vërtetua edhe nga sistemi TIMS. Por ajo që duket se i ka bërë edhe më konfuze gjetjet e grupit hetues është fakti se Gabriel K., një nga grabitësit e makinës ‘Land Rover’ që disa muaj më pas u përdor në masakrën e Dobraçit, në të njëjtën ditë që kreu këtë vjedhje, udhëtoi jashtë vendit me Arlind Bushatin, viktimën e atentatit të shumëfishtë.
Një aspekt që nxjerr në pah edhe anën e errët të kësaj ngjarje, se si është e mundur që makina me të cilën Arlind Bushati kishte lëvizur disa muaj më parë, tashmë kishte rënë në dorë të armiqve të tij, të cilët e ekzekutuan nga aty bashkë me mikun e tij Hamza Lici.
Dosja Hetimore
Rezulton se makina ‘Land Rover’, ngjyrë gri e errët, me targa AB445MXI e përdorur nga autorët në ngjarjen me katër viktima në fshatin Dobraç më 31 Tetor 2024, figuron ALERT në sistem dhe është denoncuar e vjedhur nga Drejtoria e Policisë Durrës më datë 18 Prill 2024.
Kjo drejtori ka njoftuar se autorë të dyshuar të vjedhjes së këtij automjeti janë Gabriel K., dhe Gjulio V., të cilët po këtë ditë dyshohet se kanë grabitur edhe automjete të tjera në qytetin e Durrësit.
Nga verifikimet në sistemin TIMS del se Gabriel K., ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë. Ndërsa Gjulio V. rezulton të jetë në Shqipëri.
Më datë 18 Prill 2024 ky shtetas ka dalë nga vendi në pikën kufitare të Muriqanit në orën 08:40 dhe është kthyer po atë ditë në orën 19:35. Gjë që e ka bërë në të njëjtën orë dhe me të njëjtin automjet ku së bashku me të është edhe Arlind Bushati, i cili mbeti viktimë në ngjarjen kriminale të ndodhur në fshatin Dobraç, më 30 Tetor 2024.
Nëse gjithmonë do i besojmë faktit që ata u qëlluan nga makina ‘Land Rover’ e njëjta me të cilin vetë njëri prej tyre kishte përdorur apo udhëtuar disa muaj para se të ekzekutohej, dhe nëse po, si përfundoi kjo makinë në duart e rivalëve të Licëve dhe Bushatëve?
A e përdorën ata këtë makinë me qëllim që të mos identifikoheshin si të tillë nga shënjestrat e tyre dhe këta të fundit të besonin se në këtë makinë ishin njerëzit e tyre? Një plan i mirëmenduar nga autorët nëse do të ishte i tillë dhe fatal për viktimat që deri në momentin e fundit duhet të kenë besuar të kundërtën derisa tytat e armëve kanë dalë nga xhamat e makinës ‘Land Rover’ dhe kanë qëlluar pa pushim mbi ta, duke mos u dhënë asnjë mundësi shpëtimi.
Dosja Hetimore
Nga kqyrja e sistemit TIMS Portal e-gjoba mjeti me targa AB 666 KP me të cilin viktimat po udhëtonin në momentin kur ranë në pritë, rezulton të jetë në pronësi të Arlind Bushatit.
Por kush ishin të interesuar të qëllonin mbi Arlind Bushatin dhe Hamza Licin? A ishte kjo një mundësi e artë për t’i eleminuar ata të dy së bashku, gjë që u arrit, apo objektivi fillimisht ishte vetëm njëri prej tyre? Pse grupi hetues beson sot se pas këtij eleminimi të dyfishtë, por që mori edhe dy jetë të tjera të pafajshme, fshihet Izmir Sakica dhe grupi i tij.
Kush është Izmir Sakica dhe çfarë përfaqëson ai për krimin në qytetin e Shkodrës? Dhe cilat janë lidhjet e tij, apo aleancat me grupet e tjera kriminale në Shkodër?
Zbulimet e Hetimeve
Bazuar në të dhënat e marra në rrugë operative, dyshohet se vepra penale mund të jetë kryer nga Izmir Sakica dhe grupi i tij.
Për këtë shkak policia kontrolloi jo vetëm shtëpinë e Sakicajt, por edhe të miqve të tij, Arlind Kajoshi, Samuel Troshani, Franko Leka dhe Samet Halluni, por asnjë prej të dyshuarve nuk u gjet në shtëpi.
Por nëse Izmir Sakicaj është kreu i togës së pushkatimit në Masakrën e fshatit Dobraç, cila është ajo e dhënë që e ka bërë grupin hetues të ngrejë dyshimin e arsyeshëm se është ai gishti që shkrepi armët në eleminimin e Bushatit dhe Licit.
Cila është ajo telefonatë që tradhtoi nëse mund të thuhet kështu Izmir Sakicajn, vetëm pak momente pasi në Dobraç ishte konsumuar krimi i përbindshëm? Dyshime që hetuesit i bazojnë mbi një telefonatë që Izmir Sakicaj ka kryer në adresë të një personi të paidentifikuar, ku ai dëgjohet të thotë ‘e hoqa Hard Diskun’.
Izmir Sakicaj, ka marrë në telefon një person të paidentifikuar, i cili nuk e ka hapur telefonin. Por nga përgjimet ambientale është dëgjuar të thotë se ‘e hoqa hard diskun’. Përgjime të cilat kanë ngritur dyshime të forta se Izmir Sakicaj është një ndër ekzekutorët e ngjarjes në fjalë.
Izmir Sakicaj dhe anëtarët e grupit të tij kriminal, nuk kanë qenë të vetmit të dyshuar ndaj të cilëve policia ushtroi kontroll pas atentatit me katër humbje jete në fshatin Dobraç.
Një nga familjet, banesat e të cilave u kontrolluan ishte edhe ajo e Bajrave në Dobraç, një zonë e kontrolluar prej tyre.
Bajrat që siç dihet janë një fis i njohur në Shkodër për lidhjet kriminale, pushtetin dhe aleancat shpesh fluide. Që prej kohësh janë në një konflikt të hapur me Licët, me të cilët dikur ishin miq për kokë, por që një vrasje e ndodhur vite më parë në familje ndryshoi njëherë e mirë kursin e miqësisë midis tyre, duke i kthyer sot në armiq të përbetuar.
Dosja Hetimore
Gjatë hetimeve, njëkohësisht është ushtruar kontroll edhe në banesat e shtetasve Edmond Sakicaj, N.Troshani, Sokol Kajoshi, Gjergj Leka, Ilir dhe Enver Bajri, Enis Bushati, si edhe në atë të Mustafa Lika (Sanxhak Laç), ddërsa u janë marrë faktorët plotësues të qitjes shtetasve Enver, Safet dhe Sead Bajri, Arjet Rustemi, Zamir Cacani dhe Elton Gogaj.
Ajo që duket se e bën edhe më intriguese masakrën e Dobraçit dhe prapaskenat që lidhen me të, por që njëkohësisht mund të çojnë edhe te urdhëruesit e këtij krimi të katërfishtë, është vetë dinamika e lëvizjes së makinës ‘Land Rover’ të përdorur nga autorët ditën para ngjarjes.
Aty nga ku mund të zbulohet jo vetëm itinerari që ata ndoqën deri në momentin kur derdhën breshërinë e plumbave ndaj makinës me të cilën udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Edhe pikënisja e tyre që çuditërisht përkon me një rrugicë ku ndodhet banesa e një prej personazheve më të rrezikshëm të Shkodrës, kontigjent kriminal që rezulton të jetë Asmer Bilali, një tjetër kundërshtar i Licëve në qytet. Bilali prej vitesh është në aleancë me fisin Bajri në Shkodër.
A thua që kjo të jetë thjesht një rastësi, apo një ngatërresë e qëllimshme?
Makina e autorëve
Mjeti ‘Land Rover’ është konstatuar duke dalë nga rruga që të dërgon në shtëpinë e Asmer Bilalit.
Më pas është kthyer majtas dhe ka vazhduar në Unazën perëndimore të qytetit në drejtim të rrethrrotullimit të Dobraçit dhe më tej në vendin e ngjarjes. Por ky detaj i lëvizjes së makinës para ngjarjes, nuk ka sesi ta bëjë të dyshuar kryesor Asmer Bilalin, nëse hetimet do të mbeteshin deri këtu.
Nëse nuk do të ishin edhe lëvizjet e shpeshta që ai ka bërë sidomos muajt e fundit para ngjarjes, brenda burgut ku ndodhet. Ku thuhet se ai është vizituar shpesh nga nipi i tij, ose e ka thirrur shpesh këtë të fundit në vizita, që nuk janë dukur të zakonta për grupin hetues.
Nga hetimet po ashtu rezulton se shtetasi Asmer Bilali gjatë muajve Shtator-Tetor 2024, ka pasur takime të shpeshta në pararaburgimin IEVP REÇ, me shtetasin L. Bilali.
Për t’u bindur lidhur mbi këto vizita, hetuesit vendosën të këqyrin edhe regjistrin e takimeve të të paraburgosurit Asmer Bilali.
Po kështu dhe pamjet filmike në ambientet e burgut të Reçit gjatë muajve shtator-tetor. Takime që u konfirmuan se kishin ndodhur, por që mister mbetet se cilat ishin bisedat midis Asmer Bilalit dhe nipit të tij, ku forcat speciale të burgjeve kanë ushtruar kontroll në qelinë e tij.
Aty Asmer Bilalit i janë sekuestruar disa sende të paligjshme, midis tyre dhe një celular, zbërthimi i të cilit mund të ndihmojë hetuesit për të zbuluar detaje rreth autorëve të masakrës.
Por a është Masakra e Dobraçit, një ortakëri midis dy bandave kriminale, njëra si urdhëruese dhe tjetra si ekzekutuese, për të vrarë me një gur Bushatët dhe Licët. Dhe a ishte ky momenti i shumëpritur, kur të dy të ishin në të njëjtën makinë. Ashtu siç në të vërtetë ndodhi.
Cilat janë sipas grupit hetues përplasjet që i paraprinë këtij atentati, ku përballë Licëve dhe Bushatëve në njërin krah, qëndrojnë Bilalët dhe Bajrat në krahun tjetër dhe Sakicët bashkë me këta të fundit.
Sipas grupit hetues i fundit që ka biseduar me Arlind Bushatin para se të binte në pritë me Hamza Licin, është shtetasi A. S.
Roli i tij mbetet ende i dyshimtë, edhe pse ai është paraqitur vetë në Drejtorinë e Policisë Shkodër për të dhënë dëshminë e tij, mbi komunikimet që kishte me Arlind Bushatin, pak para ngjarjes, ku ky i fundit mbeti edhe vetë viktimë.
A.S që tha në dëshminë e tij për hetuesit se e kishte lënë me Arlind Bushati të takoheshin, por nuk mundi dot, pasi ai u vra në pritë. Por deri në këtë pikë, për hetuesit gjithçka do të ishte normale, nëse nuk do të zbuloheshin disa mesazhe të fshira në celularin e tij.
Disa prej këtyre komunikimeve të fshira vetëm minuta para ngjarjes. Po për t’iu kthyer përplasjeve që Arlind Bushati dhe Hamza Lici dhe të afërm të tyre kishin në qytet me familjet kundërshtare, kush ishin ato? Pse ata ishin herë pas here objektiv i atentateve të ndryshme dhe nga kush rrezikohej jeta e tyre, deri ditën që u ndërpre në mes.
Sipas policisë së Shkodrës, Arlind Bushati dhe Hamza Lici, shikoheshin shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe thuhet se ishin miq, pavarësisht diferencës në vite. Nuk dihet se çfarë mund t’i ketë lidhur edhe më shumë së bashku, por ajo që mësohet është se të dy ishin kthyer në synime të sulmeve fizike me qëllim eleminimin e tyre.
Arlind Bushati kishte qenë disa herë shënjestër e këtyre sulmeve me armë zjarri dhe eksploziv.
I fundit, ndër të shumtët në radhë, ishte ai i datës 10 Tetor 2024. Vetëm tri javë para se të eliminohej në fshatin Dobraç, ku siç shikohet edhe nga pamjet filmike, ai u tentua të qëllohej me armë zjarri nga dy persona të cilët lëviznin me motor. Ngjarje kjo e ndodhur në pedonalen e Shkodrës, në zonën më të populluar të qytetit, por që vetëm fati e shpëtoi pasi thuhet se atentatorit iu bllokua arma në momentin e fundit para se të qëllonte.
Një ngjarje e cila përhapi panik te të pranishmit në pedonale, por që mbeti e pazbardhur, por që nuk ishte e para për të, pasi në vitin 2022 atij dhe familjes Bushati iu vendos një sasi eksplozivi pranë biznesit të tyre, ngjarje e cila u dokumentua edhe nëpërmjet pamjeve filmike të kamerave të sigurisë.
Ajo nuk mbeti e izoluar, pasi vetëm një muaj më pas sipas deklarimit që ai vetë dha në polici, në automjetin e tij ishte vendosur një sasi eksplozivi. Këtë herë kishte mundur ta pikaste në kohë, para se të shpërthente. Të njëjtën histori kriminale përndjekje që mesa duket kishte pasur edhe miku i tij Hamza Lici. Por nëse Arlind Bushati nuk e dinte se kush po e sulmonte, ose të paktën nuk e tregoi asnjëherë se kush ishin ata që e donin të vdekur, Hamza Lici ishte i vetëdijshëm për kundërshtarët e tij.
Kjo për shkak të mërive të thella që familja e tij kishte me fisin Bilali dhe Bajri. Në një nga komunikimet tashmë të zbuluara në Sky Ecc midis Asmer Bilalit dhe Behar Bajrit, kërkohet me insistim që krahas Ibrahim Licit, objektivit të madh të tyre, të nxirret në pritë dhe të vritet dhe vëllai i tij më i vogël, Hamza Lici.
Asmer Bilali: Nuk ma merr mendja që ka me qenë Ibrahimi aty, se e kapin sapo ta shikojnë. A ka mundësi të ma nxjerrë dikush Hamzanë. Kam folur mbrëmë me dikë. Më premtoi se do ma nxjerrë.
Pikërisht për këtë arsye, duke marrë parasysh përplasjet e vazhdueshme midis fiseve Bilali dhe Bajrave në aleancë me njëri-tjetrin dhe Licëve në krahun tjetër, si edhe gjetjeve pas masakrës së Dobraçit, ku makina e autorëve para ngjarjes doli nga rrugica e Asmer Bilalit, por edhe takimet e shpeshta që ky i fundit pati në burg me të afërmin e tij, dy muajt e fundit para atentatit me katër viktima, grupi hetues dyshon se porositësi i këtij krimi është pikërisht personazhi që sot ndodhet pas hekurave të qelisë. Që vazhdon të ruajë edhe nga aty pushtetin e tij kriminal në qytet.
Por Prokuroria beson se si ekzekutorë janë Izmir Sakica dhe grupi i tij.
Kjo për shkak të një ngjarje të ndodhur, vetëm pak muaj para masakrës së Dobraçit. Atë më 23 Gusht 2024 në Vaun e Dejës. Që tregon vetvetiu lidhjen e Sakicave me Bajrat.
Dosja Hetimore
Duke parë dinamikën e ngjarjes së ndodhur në fshatin Dobraç, ku mbetën të vrarë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe humbën jetën Flutura dhe Bashkim Basha, si dhe rasteve ku të përfshirë janë Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani, prokuroria Shkodër ka vendosur bashkimin e dosjes së masakrës së Dobraçit si dhe të dosjes që lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 23 gusht 2024 në Vaun e Dejës.
Po çfarë është ngjarja e Vaut të Dejës dhe cila është lidhja e saj me Sakicat në njërën anë dhe viktimat e mëtejshme në Masakrën e Dobraçit, Arlind Bushati dhe Hamza Lici.
Kush janë ata që qëlluan mbi Sakicën dhe Troshanin? Pse kjo ngjarje nuk u zbardh kurrë? Dhe a ishte ky momenti kur Bilalët dhe Bajrat lidhën ‘krushqi’ kriminale me Sakicët, kundër Bushatëve dhe Licëve
Ngjarja e Vaut të Dejës
Në fshatin Rranxa në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës, policia është njoftuar se në orën 18:20 ka patur të shtëna të shumta me armë zjarri. Në këtë ngjarje rezulton se të përfshirë janë Izmir Sakicaj, Samuel Troshani si dhe Safet Bajri.
Në vendin e ngjarjes një nga mjetet e blinduara është edhe ai në përdorim nga shtetasi Safet Bajri. Vetë Sakicët u shfajësuan atë kohë, se ishin ata të sulmuarit me armë zjarri. Ndërsa grupi hetues doli në përfundimin se atë kishte ndodhur një përplasje me armë midis dy grupeve kriminale. Dhe se pretendimet e Sakicëve, mbi zhvillimin e dinamikës së ngjarjes, nuk ishin plotësisht të vërteta.
Sipas aktit të ekspertimit, ka rezultuar se Samuel Troshani ka bërë qitje me armë atë ditë, gjë që u konstatua edhe nga gjurmët e barutit të gjetura në dorën e tij në majtë.
Gjë që duke pasur parasysh që në vendin e ngjarjes u gjet edhe makina e blinduar e Safet Bajrit, rrëzon pretendimin e Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshanit se ata gjendeshin rastësisht aty.
Lidhur mbi ngjarjen e ndodhur në fshatin Rranxë, aktualisht Izmir Sakicaj, Samuel Troshani, Arlind Kaloshi dhe Samet Halluni u shpallën në kërkim me vendim të gjykatës së Shkodrës.
Ndaj tyre rëndojnë dyshimet për akuzat e vrasjes në bashkëpunim mbetur në tentativë, kanosja e kryer në bashkëpunim, mbajtja pa leje e armëve, si dhe plagosja, një ngjarje e cila në fakt duket se i kishte paraprirë një tjetër.
Të përfshirë ishin sërish Sakicët dhe grupi i tij, të cilët kishin sulmuar babain e një tjetër personazhi me rekorde të shumta kriminale në Shkodër. Alban Bruçit, edhe ky i lidhur me shumë ngjarje kriminale në qytet.
Dosja Hetimore
Më datë 3 qershor 2024 Izmir Sakicaj, Samuel Troshani dhe të tjerë, rreth orës 14:30 kanë shkuar të armatosur në banesën e Alban Bruçit.
Kjo pasi ky i fundit ishte konfliktuar për motive të dobëta me Edmond Sakicaj, babain e Izmirit. Nga ku rezulton se të armatosur këta shtetas kanë dhunuar në trotuarin përballë pallatit Vladimir Bruçin, babain e Alban Bruçit./ Në Shënjestër / BW







