AKTUALITET /

Mashtruan për naftën dhe materialet e shtrimit të rrugëve, çohen në gjyq zyrtarët e bashkisë Devoll

Punonjësit e bashkisë bënë tender dhe nuk blenë materialet, por paratë i morën për vete.

Shkruar nga Versus

Mashtruan për naftën dhe materialet e shtrimit të rrugëve,

Korçë- Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 6 zyrtarë të bashkisë së Devollit të cilët akuzohen për veprën penale “falsifikim dokumentesh”.

Pas hetimeve të kryera, prokuroria arriti në përfundimin se zyrtarët të cilët ishin denoncuar për mashtrim sa i takon blerjes së materialeve të ndërtimit për nevojat e bashkisë Devoll dhe për sasinë e karburantit të përdorur.

“Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.326 të vitit 2023, prokuroria arriti në përfundim se shtetasit G.K., me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Utilitare, Komunitare dhe Administrative, A.C., Përgjegjës në Sektorin e Shërbimeve në Agjencinë e Shërbimeve Publike, K.M., Përgjegjës në sektorin e Transportit në Agjencinë e Shërbimeve Publike, E.N., Magazinier në Sektorin e Menaxhimit Financiar, dhe H.Ç. e J.B. me detyrë shoferë, kanë konsumuar veprën penale për të cilën janë akuzuar”- njofton prokuroria.

Kallëzimi u bë nga B.N lidhur me procedurat e tenderit për blerjen e materialeve të ndërtimit dhe të naftës. Sipas kallëzuesit të gjitha procedurat kanë qenë fiktive dhe se nuk janë kryer punime apo lëvizje të mjeteve për të cilat u miratua një shumë e caktuar për mbulimin e shpenzimeve të karburantit.

Të pandehurit, akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë përvetësuar shumën e parave të caktuara nga bashkia për naftën dhe materialet e ndërtimit. Versus.al

Poll