Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI-t institucionit që duhet të garantojë sigurinë e sistemeve elektronike të shtetit shqiptar, por edhe të pajisjeve të NATO-s e BE-së, rezulton të ketë qenë personi kyç që ndihmonte në përfitimin e miliarda lekëve tendera për biznesmenin e shpallur në kërkim Ergys Agasi.
Në dëshminë e saj më 3 dhjetor të këtij viti, Karçanaj ka thënë në SPAK se me biznesmenin tjetër Ermal Beqiri ishte takuar vetëm një herë dhe se nuk mbante marrëdhënie me operatorët ekonomikë jashtë zyre, ndërsa me Ergys Agasin ishte takuar disa herë në zyrën e tij për shkak të raportit miqësor që ato kishin.
Por si ka ndikuar ky raport në faktin që Ergys Agasi ka përfituar miliarda lekë të qytetarëve shqiptarë pa kryer asnjë punë konkrete me kompaninë e tij “EA Solution”?
Ashtu siç edhe Karçanaj ka deklaruar, SPAK zbuloi se në pajisjen përgjuese të Agasit ishte regjistruar edhe takimi i tij me drejtoreshën e AKSHI-t ku dyshohet të kenë rënë dakord për tendera.
Skema me të cilën kalonin paratë tek Agasi
Dyshohet se Ermal Beqiri në bashkëpunim me biznesmenin tjetër Andis Papa, me kompanitë e tyre kalonin pagesa fiktive të cilat përfundonin në kompaninë “EA Solution” të Ergys Agasit. Sipas SPAK dy prej tenderave për të cilat janë bërë pagesa fiktive dhe përfituesi i tyre fundor është kompania “EA Solution” e Ergys Agasit janë: Përmirësimi i moduleve dhe regjistrave elektronike duke ofruar shërbime të unifikuara për bizneset e Shqipërisë, me ofertë ekonomike 194 545 212 lekë; si dhe tenderi “implementimi i e-Albania 2.0 site sekondar dhe open data me vlerë 1,462,500,000 (një miliard e katërqind e gjashtëdhjetë e dy milion e pesëqind mijë). Versus.al

