Situata në Radio Televizionin Shqiptar duket se nuk është qetësuar edhe pas largimit të Alfred Pezës nga posti i drejtorit të këtij institucioni. Së fundmi, ka qenë gazetari dhe moderatori, Ardit Murataj ai i cili ka bërë një denoncim në rrjetin e tij social “Instagram” pas largimit pa asnjë arsye nga pozicioni që mbante si prezantues i programit “Mirëmëngjes Shqipëri”.
Në një prej videove që gazetari ka publikuar, lajmëron drejtuesit e RTSH se do t’i drejtohet Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të dorëzuar materiale me filmime kompromentuese të drejtuesve të RTSH të cilat ai pretendon se gjenden brenda USB-së së tij.
Në video përfaqësuesi i tij ligjor ka paralajmëruar:
“Kjo këtu është për SPAK, nesër në mëngjes, çuna dhe goca keni ca filmime ju të RTSH-së, që Zot na ruaj. Më krahë të lehta atje ku të shkoni, Viso dy paketa”.
Versus.al u interesua lidhur me rastin dhe kontaktoi ish-moderatorin e Pogramit “Mirëmëngjes Shqipëri” për ta pyetur lidhur me përmbajtjen e filmimeve për të cilat flitet në videon e publikuar në rrjetin e tij social.
Gazetari Murataj duke u rezervuar në informacionin e dhënë për shkaqe të dhënash konfidenciale, bëri me dije se sapo kishte përfunduar përpilimin e materialeve të cilat do të depozitohen në SPAK ditën e nesërme.
“Detajet e materialeve që do të dorëzohen, nuk mund t’i diskutoj pasi bëhet fjalë për çështje konfidencialiteti dhe me to do merret SPAK-u. Sapo kam përfunduar me protokollimin e lëndës për informacion lidhur me nenet përkatëse ku unë dyshoj se janë shkelur ligjet”- tha gazetari.
Ndër të tjera, ai pohoi se bëhet fjalë për materiale ku shfaqet sërish ish-drejtori i RTSH-së Alfred Peza për të cilin në nisje të këtij muaji u publikuar mesazhe të cilat tregonin sesi ai ngacmonte gazetaren Blerta Tafani.
“Absolutisht që kanë lidhje me këtë çështje”- theksoi gazetari sa i takon filmimeve që gjenden në USB-në e tij. Duke mos zbuluar numrin e personave të përfshirë të cilët janë pjesë e filmimeve, Murataj shtoi se çështja lidhet me shkelje të bëra nga Peza dhe personat e tjerë që shfaqen në filmime.
Në postimet e tij moderatori ka treguar se programi ku ai drejtonte dhe ishte dhe autori për të cilën kishte lidhur kontratë për një sezon nuk zgjati më shumë se 20 puntata. Moderatori shton se i gjendur përpara paligjshmërisë por edhe shantazhit të faktuar me dokumente dhe prova audo-vizive i është drejtuar SPAK./Versus.al







