AKTUALITET /

Me palestër dhe garazh, SPAK sekuestron tjetër vilë të vëllezërve Çopja në Elbasan

Banesa dykatëshe e regjistruar si njësi banimi në lagjen "5 maji" është vendosur nën sekuestro preventive pasi dyshohet se është siguruar falë veprimtarisë kriminale të vëllezërve Çopja.

Shkruar nga Versus

Me palestër dhe garazh, SPAK sekuestron tjetër vilë të

Prokuroria e Posaçme ka njoftuar një tjetër sekuestrim pasurie në emër të vëllezërve Franc e Hajdar Çopja të cilët akuzohen se drejtonin një grup kriminal që merrej me trafik droge drejt vendeve të ndryshme të BE dhe vrasje e grabitje.

Pas sekuestros së disa pronave të paluajtshme dhe të 10 milionë dollarëve në kriptovaluta, këtë herë është vënë nën sekuestro një vilë dykatëshe e vëllezërve në lagjen “5 maji” e cila dyshohet se është siguruar falë veprimtarisë kriminale të Çopjave.

“Më datë 23.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 117, datë 15.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur sekuestro preventive ndaj pasurisë së paluajtshme në adresën; Lagjia “5 Maji”, Elbasan, e cila është njësi banimi në pronësi dhe përdorim të familjes së vëllezërve F.G. (alias F. Ç) dhe H.B. (alias H. Ç), këta të fundit persona nën hetim sipas procedimit penal nr.75, viti 2022, si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale kundër jetës dhe pronës, si dhe të pastrimit  të produkti të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale, në kuadër të organizatës kriminale.

Njësia e banimit, objekt i sekuestrimit ishte një vilë private, me 2 (dy) kate banimi, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre. Kati i parë i banimit përbëhej nga një garazh i mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë, si dhe një dhomë gjumi – ambiente plotësisht të mobiluara. Kati i dytë i banimit, përbëhej nga dy dhoma gjumi, secila me garderobë të veçuar dhe këto  hapësira plotësisht të mobiluara”- njofton SPAK, ndërsa hetimet për përfshirjen e Çopjave në ngjarje kriminale, janë ende në vijim.

Franc Çopja është ekstraduar në Belgjikë ku ishte shpallur në kërkim për trafik droge. Ndërsa vëllai i tij Hajdar Çopja, i cili shfaqet në disa komunikime në “Sky Ecc” me të shumëkërkuarin Talo Çela që dyshohet si i paguar prej tyre për disa ngjarje kriminale, është arrestuar në Dubai në maj të vitit të kaluar. Versus.al

Poll