Kush bleu prona në Dubai? Për sa para? Dhe ku saktësisht? Gazeta belge van Antwerpen ka publikuar listën me emrat e tridhjetë kriminelëve të dënuar dhe/ose të kërkuar nga Belgjika për trafik droge të cilët kanë investuar në tregun e pasurive të paluajtshme në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në mesin e tyre janë dhe tre emrat e njohur të cilët kërkohen dhe në Shqipëri dhe bëhet fjalë për:
Flamur.S 50 vjeç
50 vjeçari shqiptar po ndiqet penalisht në Belgjikë për rastin më të madh të kontrabandës së drogës atë të kompanisë së pastrimit të ujit Kriva Rochem. Sipas prokurorisë federale, S. ishte përfshirë në importin e rreth trembëdhjetë tonë kokainë. Në vitin 2010 ai u dënua me tetë vjet burg në Antwerp për kontrabandë kokaine ndërsa në Shqipëri i janë konfiskuar pasuritë. S. u arrestua në Turqi në vitin 2023 me qëllim ekstradimin në Belgjikë. Në vitin 2020, ai regjistroi dy blerje në Dubai, një apartament në La Vie dhe një në Liv Residence. Ata së bashku kapin vlerën e 1.7 milionë eurove.
Eldi Dizadri , 35 vjeç ose i njohur ndryshe si Denis Matoshi
Bosi shqiptar i drogës që jetonte në Bruksel konsiderohet si një nga drejtuesit e Kompania Bello, një prej karteleve më të mëdha ndërkombëtare të drogës. Për të kontrabanduar kokainë në Evropë, ai bashkëpunoi dhe me klanit Y në Antwerp. Dizdari po ndiqet penalisht si drejtues i grupit kriminal dhe rrezikon 8 vite burg. Në Shqipëri, pronat e tij u sekuestruan në qershor 2024, ndërsa në Dubai ai i transferoi pronat e fundit në emër të bashkëshortes së tij, ish-Miss Shqipëria, në vitin 2023. Nëntë prona në Dubai janë në emrin e saj, me një vlerë totale të blerjes prej 17.8 milionë euro, duke përfshirë dy vila në Palm Jumeirah. Dizdari thuhet se ka ende shumë kontakte me njerëz nga Antwerp në Dubai dhe ka kombësi belge.
Franc Çapja (32) ose i njohur ndryshe si Franc Gergely
Krimineli i parë i kërkuar nga Belgjika për t'u ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Çapja, i cili në Belgjikë njihet me pseudonimin Gergely, ishte në kërkim për vrasje në vitin 2020. Nga Dubai, ai kontrollonte organizatën e tij – që mban mbiemrin e tij – drejtonte tregtinë e drogës nëpërmjet portit të Antwerpen dhe urdhëronte vrasje. Ai po ndiqet penalisht në Bruksel për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Ardit Spahiu, i vrarë me tetë plumba në Molenbeek. Në fund të vitit 2023, ‘Gergely’ u ekstradua në Belgjikë, por para se të ekstradohej shiti pronat e tij të paluajtshme në Dubai dhe në shkurt të 2024, shiti apartamente në Dubai me një vlerë prej 12 milionë euro, që i solli një fitim prej 3.7 milionë euro./Versus.al







