
Autori i vrasjes së rëndë në Memaliaj i arrestuar dhe i identifikuar si Blerti Kanushi, 23-vjeç rezulton person me precedent të mëparshëm penal.
Që prej shkurtit të këtij viti 23-vjeçari ishte në kërkim me masë sigurie nga gjykata. Më datë 6 shkurt të këtij viti, 23-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës si pjesëtar i një grupi që u kap me 1.5 kg kokainë në zonën e “Astirit”.
Në 6 shkurt Sektori i Antidrogës në Policinë e Tiranës arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tyre 23-vjeçarin Blerti Kanushi, shkruan Balkanweb.al, i cili kishte rolin e ndërmjetësuesit në grupin e shpërndarjes së lëndës narkotike.
Kujtojmë që gjatë ditës së sotme, Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa në një deklaratë për mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë u shpreh se nga dinamika hetimore u konkludua se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes.
“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij”,tha Çipa.
Ngjarja e rëndë u shënua të martën në Memaliaj ku një 72-vjeçar i identifikuar si Faik Ajdini u gjet i pajetë në përroin e fshatit Zhapokikë dhe për të fshehur gjurmët vrasësi e kishte hedhur trupin e viktimës në ujë./ Versus.al







