
Durrës- Një polic i identifikuar si Armand Marvataj, 21 vjeç u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pasi mori ryshfet nga disa persona për të lejuar nxjerrjen e naftës nga ngarkesa prej 670 tonësh kontrabandë që ishin sekuestruar më 17 janar në Porto Romano.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të datës 27 janar, kur oficeri 21 vjeçar ka bërë të mundur nxjerrjen e një sasie të konsiderueshme nafte nga Anija “AYAZANOYBYA” me flamur të Tanzanisë, që ishte ankoruar dhe sekuestruar në Porto Romano, e cila ka qënë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria Durrës.
Hetimet zbuluan se oficeri që ruante anijen e sekuestruar, kishte marrë pagesë prej 10 mijë eurosh për të lejuar këtë veprim, ndërsa naftën e nxjerrë e zëvendësoi me ujë. Bashkëpunëtorë të tij kanë qenë pjesëtarë të ekuipazhit, konkretisht Juxhin Koka 31 vjeç dhe D.M 34 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim. Ka qenë Juxhin Koka ai që ka korruptuar punonjësin e policisë.
Nën hetim për kontrabandë dhe vjedhje janë edhe një shqiptar, 5 sirianë dhe një egjiptian, konkretisht:
1. L. K., 29 vjeç
2. F. I., 23 vjeç (shtetas sirian)
3. A. Sh., 22 vjeç (shtetas sirian)
4. S. Sh., 25 vjeç (shtetas sirian)
5. H. B., 47 vjeç (shtetas sirian)
6. S. B., 53 vjeç (shtetas egjyptian)
7. Ë. B., 42 vjeç (shtetas sirian)
Policia po punon për kapjen e personave që bashkëpunuan me policing për të nxjerrë sasinë e naftës të cilën më pas e zëvendësuan me ujë. Vetëm pak orë pas operacionit ku u kapën 670 ton naftë kontrabandë, një tjetër anije me 400 ton naftë kontrabandë erdhi nga Tunizia. Të dyja anijet janë sekuestruar dhe prokuroria po kryen hetimet për zbardhjen e porositësve dhe personave të përfshirë. Versus.al







