AKTUALITET /

Mori ryshfet, GJKKO dënon ish-shefin e regjimit në burgun e Lushnjës (EMRI)

Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e Lekës në provë për 2 vite, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos kryejë asnjë vepër penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me Drejtorinë e Shërbimit të Provës.

Shkruar nga Versus

Mori ryshfet, GJKKO dënon ish-shefin e regjimit në burgun e

Ish-shefi i burgut të Lushnjës, Irakli Leka, është shpallur fajtor dhe dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit u ul në 2 vite e 2 muaj burgim.

Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e Lekës në provë për 2 vite, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos kryejë asnjë vepër penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me Drejtorinë e Shërbimit të Provës.

Rasti u bë publik nga emisioni investigativ ‘Stop’, i cili filmoi Lekën duke marrë 700 euro në këmbim të një leje 5-ditore për një të dënuar në burg. Për këtë rast, GJKKO-ja kishte vendosur më parë masën e sigurisë “arrest shtëpie”, e cila u hoq pas pezullimit të dënimit.

Gjykata gjithashtu vendosi:

Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Disa prova materiale, përfshirë celularin dhe USB-në e Lekës, mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.

Shpenzimet procedurale dhe gjyqësore ngarkohen të pandehurit.

Vendimi i GJKKO-së:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Irakli Leka”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Atalanta Zeqiraj dhe Marinela Osmani, me vendimin nr. 16, datë 16.02.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Irakli Leka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet e 3 (tre) muaj burgim.

2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Irakli Leka i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 2 (dy) muaj burgim.

3. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin Irakli Leka për një periudhë kohore 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.

4. Bazuar në nenin 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit Irakli Leka, me vendimin nr. 94, datë 19.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.

5. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Irakli Leka, për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjet.

6. Në aplikim të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale

 aparati celular i markës “Iphone”, me ngjyrë të zezë, me nr. IMEI ****, dhe një kartë SIM e kompanisë “Vodafone”, me nr. tel. ****, t’i kthehen të pandehurit Irakli Leka, ndërkohë,

Një USB e markës “Verbatim”, me ngjyrë të zezë, me nr. ****, në të cilën është ngjitur një letër e bardhë me mbishkrimin “Proc.Penal Nr. 179/2025”, në të cilën ndodhet akti i ekspertimit kompjuterik;

Një DVD e markës “Verbatim”, me ngjyrë gri, me mbishkrimin me shkrim dore me ngjyrë të kuqe “STOP 16.09.25”, administruar me këqyrje dhe marrje nga drejtuesi i emisionit “STOP”, të mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.

7. Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.

8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e

Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar./Versus.al

Poll