AKTUALITET /

Mosbindja civile e PD ‘paralizon’ sot gjithë vendin! Deputetët dhe protestuesit paralajmërojnë bllokimin e akseve kryesore

Policia ka paralajmëruar se personat që do bllokojnë rrugët kryejnë vepër penale dhe do ndëshkohen sipas ligjit, ndërsa PD e konsideron të ligjshme protestën dhe u ka kërkuar efektivëve të marrin masat për mbarëvajtjen e saj.

Shkruar nga Versus
Mosbindja civile e PD ‘paralizon’ sot gjithë vendin!
Foto nga një protestë e mëparshme e PD

Sot në orën 17:00, akset kryesore të vendit pritet të bllokohen nga protestues të thirrur nga Partia Demokratike si vijim i mosbindjes civile të paralajmëruar më herët me kushtin e krijimit të një qeverie teknike pa Ramën në krye të saj.

PD ka marrë 3 orë leje për protestë, ndërsa plani është bllokimi i disa akseve kyçe rrugore si mbikalimi i Kamzës në Tiranë, mbikalimi i Shkozetit në Durrës, kryqëzimi i Milotit etj. Nuk është bërë me dije nëse protestuesit do të qëndrojnë vetëm në këto akse apo do të lëvizin në zona të tjera.

Ndërsa policia e cila ka paralajmëruar se do të jetë e pranishme në këto akse rrugore 30 minuta para nisjes së protestës, ka dalë me një deklaratë zyrtare ku u ka bërë thirrje përfaqësuesve të PD që në asnjë rast të mos bllokojnë qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve me argumentin se kjo gjë përbën vepër penale dhe personat përgjegjës do të përballen me pasoja ligjore.

“Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni. Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha për mediat se tubimi i njoftuar prej tyre është i ligjshëm dhe se policia duhet të marrë masa si për çdo protestë tjetër.

“Tubimi kërkon njoftim të policisë dhe njoftimi është bërë nga sektori i organizmit pranë PD. Në çdo tubim ka bllokim të rrugëve, edhe kur protestojmë para Kryeministrisë. Kur Veliaj, kreu i bandës 5d bën maratonën, bllokohen të gjitha rrugët brenda kryeqytetit. Çdo organizmin i ligjshëm, që ndiqet procedura e njoftimit, sjell bllokimit të trafikut, është detyrë e policisë të marrë masa për organizmin e trafikut”- u shpreh demokrati.

Bllokimi i akseve që ka paralajmëruar PD:

Mbikalimin e Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës

Segmenti “Casa Italia - Sheshi Shqiponja”

Rrethrrotullimi Milot

Rrethrrotullimi Shkozet

Rrethrrotullimi Bradashesh

Rrethrrotullimi Rrogozhinë

Rrethrrotullimi Levan

Pas protestës së 7 tetorit ku u hodhën molotovë drejt institucioneve kryesore të vendit, kjo është protesta e dytë në vazhdën e mosbindjes civile të paralajmëruar nga ana e Partisë Demokratike dhe kryedemokratit Sali Berisha i cili ka theksuar se kërkesa e opozitës është krijimi i një qeverie teknike pa Ramën në krye të saj me qëllim që të mos ketë mundësi të kontrollojë administratën në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: