
Policia e Shtetit ka publikuar të dhënat mbi masat e ndërmarra për zaptimin e hapësirave publike në të gjithë vendin. Duke filluar nga vendparkimet private brenda lagjeve e deri tek lavazhet, policia bën me dije se përgjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar 133 raste të shfrytëzimit të paligjshëm të hapësirave publike për aktivitete ekonomike të paregjistruara në organet tatimore. Mes këtyre të dhënave, bëhet me dije se 10 persona janë arrestuar.
Gjithashtu aksioni është përqendruar edhe në parkimet e gabuara që pengonin qarkullimin e lirë të qytetarëve.
Konkretisht:
78 raste në Tiranë me 10 të arrestuar dhe 68 të proceduar; 16 raste në Shkodër me 16 shtetas të proceduar; 11 raste në Lezhë me 11 të proceduar; 6 raste në Korçë me 6 të proceduar; 6 raste në Fier e Lushnjë me 6 të proceduar; 4 raste në Vlorë e Sarandë me 4 të proceduar; 4 raste në Dibër me 4 të proceduar; 3 raste në Elbasan me 3 të proceduar; 2 raste në Berat me 2 të proceduar; 2 raste në Durrës me 2 të proceduar dhe 1 rast në Gjirokastër me 1 të proceduar.
Sa u takon parkimeve “dysh” janë evidentuar 45 raste të tilla nga të cilat: 37 në Tiranë, 3 në Elbasan, 2 në Fier, 2 në Kukës, 1 në Durrës.
Gjithashtu janë gjetur 3 raste të punësimit të paligjshëm. Në njoftim bëhet me dije se aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme do të vijojë dhe se nuk do ketë tolerime për shkelësit e ligjit tatimor dhe kodit rrugor. Versus.al
