
Tiranë- Gjykata la në burg pesë prej personave të arrestuar nën akuzën e trafikut të armëve të zjarrit në Kosovë dhe Shqipëri.
Ndërsa për Euxhenjo Manushin, djalin e muzikantit “Ad Sybardhi”, seanca do të zhvillohet të dielën pasi ndaj tij ka akuzë edhe për trafik kokaine. Ditë më parë ai u arrestua së bashku me Klajdi Serjanin me 1 kg kokainë.
Të arrestuarit Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleo Muçalliu dhe Tonin Shkabmi të cilët u lanë në burg, gjatë seancës së sotme kanë mohuar akuzat duke pretenduar se nuk janë të përfshirë në trafikun e armëve dhe se nuk kanë pasur asnjë dijeni për aktivitetin e Valter Osmanit, i cili u arrestua dje dhe akuzohet si kreu i grupit në Kosovë.
Grupi kriminal i trafikut të armëve u shkatërrua në kuadër të një operacioni të përbashkët me kontrolle në Tiranë, Prishtinë e Ferizaj. Armët vinin nga Turqia, modifikoheshin në Kosovë dhe më pas shiteshin në Shqipëri. Në total janë arrestuar 24 persona, 10 në Shqipëri dhe 14 në Kosovë.
Rreth 60 armë të tipit “pistoletë”, “kallashnikov” dhe “snajper” janë sekuestruar gjatë operacionit. Versus.al







