Tiranë- Pensionistët kanë zhvilluar protestën e tyre të dytë brenda pak ditësh para kryeministrisë duke kërkuar rritjen e pensioneve të tyre.
Të moshuarit të cilët kanë dalë para godinës së kryeministrisë kanë kërkuar vendosjen e minimumit jetik, ndërsa shprehen për mediat se nuk kanë mundësi të kalojnë as muajin me paratë që marrin nga pensioni i tyre.
“Pa pension jam unë dhe gruaja. Vij nga Shkodra. Më kanë dënuar siç kanë dënuar priftërinjtë. Origjinal kështu më kanë dënuar dhe mua. Nuk mund t’u biem më qafë fëmijëve. Çfarë t’i kërkoj djalit unë. Ka dy fëmijë, 3 fëmijë. Këta janë kriminelë”.
“Kemi dalë këtu për të drejtat tona. Jam minator i Memaliajt dhe sot marr një pension qesharak. Kërkojmë të drejtat tona për rritjen e pensioneve. I bëjmë thirrje qeverisë të shikojë statutin e minatorëve”- u shprehën disa prej pensionistëve.
Ashtu si në protestën e kaluar, partia “Lëvizja Bashkë” ka dalë në mbështetje të pensionistëve duke e cilësuar si “qesharak” indeksimin e pensioneve të bërë nga qeveria në muajin shtator.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama prej ditësh po zhvillon një tur takimesh me pensionistët në qytete të ndryshme për t’u shpjeguar se rritja e pensioneve të tyre është e pamundur nëse nuk do të ketë ulje të informalitetit të pagave të deklaruara nga ana e bizneseve, punëmarrësve dhe punëdhënësve, të cilët Rama i akuzoi si “grabitës të pensionistëve” dhe paralajmëroi masa të ashpra. Versus.al